Poeti Fran Laska shkruan:
Vdekja e Shpat Kasapit nuk më trishtoi thjesht si humbje e një artisti. Ajo më preku në një mënyrë që pak njerëz mund ta kuptojnë, sepse midis meje dhe Shpatit ekzistonte një qasje e padukshme, një urë që vetëm prindërit e fëmijëve me aftësi ndryshe e njohin. Në këtë jetë, ne nuk jemi takuar shpesh. Por çdo herë që mendoja për Leonelin e tij, shihja vetveten tek Klearti im.
Dy fëmijë që nuk u rritën me zhurmën e botës, por me qetësinë e tyre të thellë; dy drita të buta që kërkojnë hapësirën e tyre duke mësuar çdo ditë mënyra të tjera për të folur, për të prekur, për të dashur. Klearti im në Carcare. Leoneli në Bolonja. Dy qytete të huaja, dy rrugë të veçanta, por një dhimbje e përbashkët. Një dramë e heshtur, e cila nuk është mallkim, por kryqi i shenjtë që na bën prindër më të fortë se ç’e mendonim.
Një shkrim i jashtëzakonshëm i poetit për Shpat Kasapin dhe
Kur dëgjova lajmin e ikjes së Shpatit, më ra ndër mend jo fama, jo këngët që i rrinin bukur, por fytyra e Leonelit, djalit të tij që pati nevojë sado pak për dorën e babait, për praninë e tij. Dhe më pas, si hije e dritë njëkohësisht, më doli para syve Klearti im.
Sepse kur ikën një prind që mban brenda shpirtit këtë dramë, çdo prind tjetër që e njeh këtë dhimbje e ndjen humbjen si të vetën. Unë e di sa e vështirë është të ecësh çdo ditë me shpresën që nesër do të ketë një fjalë të re, një hap të ri, një buzëqeshje që flet më shumë se fjalët. E di si dhemb heshtja e gjatë. Si gëzon një detaj i vogël. Si të dridhet zemra kur mjeku thotë “ka përmirësim” dhe si të thyhet kur thotë “do të duhet kohë”.

Shpati iku, por drama e tij mbeti këtu, në zemrën e Leonelit. Dhe unë, nga Carcarea e vogël ku rritet Klearti, mendoj shpesh:
sa ngjajnë këta dy fëmijë!
Sa shumë luftojnë!
Sa shumë na mësojnë!
Ndaj sot dua ta them me zë të qetë dhe të sigurt: Një ditë, Leoneli do të thërrasë “Babi”. Një ditë, Klearti do të thërrasë “Babi”. Dhe atë ditë, qielli do të hapet krejt si për një festë të pashpallur. Do të jetë bekim, do të jetë mrekulli, do të jetë fitorja e tyre, jo e jona.
Një shkrim i jashtëzakonshëm i poetit për Shpat Kasapin dhe
Këta dy djem, Leoneli dhe Klearti, janë dëshmi se dashuria e prindit nuk matet me fjalë, por me durim, me përulësi, me lot të fshehur dhe me shpresë që nuk shuhet kurrë. Shpati u largua si artist, por mbeti si baba që e deshi djalin mbi gjithçka. Dhe unë, këtu ku jeta më ka çuar, e ndiej afër këtë dhimbje të përbashkët dhe këtë shpresë që na lidh si vëllezër në fat.
Lamtumirë, Artist!
Drita e shpirtit tënd u ndriçoftë gjithmonë pranë dritës së Leonelit. Dhe qoftë kjo dritë një bekim edhe për Kleartin tim!