Nga: Alpin Ollogu
Për ish politikanin Blushi, sot shkrimtarin, autorin e librit të shumëpërfolur në panairin e 28 të librit në Tiranë, mjafton referenca e vetëm një replike parlamentare (e para 8 viteve) e Edi Ramës, e njeriut që e njohu nga afër miqësisht dhe politikisht autorin e kësaj letërsie paragjykuese e stigmatizuese për religjionin në përgjithësi, e besimin Islam në veçanti. Besim i cili, për ironi të romanit, sipas “Pew Research Center”, nga viti 2010 deri në vitin 2020, është rritur me 347 milionë pjestarë, me trend rritjeje të vazhdueshme edhe sot në vitin 2025.
Ndoshta statistika si më sipër janë shkak i vërtetë frymëzimi i romanit, e jo vizita në Mekë e Blushit, atje tek “muslimanët e mirë”, kundrejt “muslimanëve të këqinj” në tokat shqiptare. Pjesë jo e vogël e ateistëve, agnostikëve, ose edhe e atyre që janë myslimanë a të krishterë vetëm me emërtim (pra që realisht nuk janë praktikues apo besimtarë), kur debatojnë me myslimanët ose për ta, shpesh akuzojnë dhe përdorin një lloj humori nënçmues, e asgjë nuk shpreh më shumë urrejtje se humori i zi. Në këtë rast ndaj shumicës myslimane që ka jetuar prej shekujsh në këto troje dhe ka dhënë kontribut vendimtar në formimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar.
Zhargoni i thellësive të injorancës, “shkoni në Arabi”, “jeni për në Arabi”, “talibanë”, “lindorë”, janë forma të cënimit dhe venies në lojë të dinjitetit të tjetrit, sepse në injorancën e tyre, muslimani i mirë i përket Arabisë, Palestinës, Sirisë apo vendeve të tjera, ndërsa i njëjti musliman u duket pengesë në shoqërinë ku jetojnë. Në të njëjtën frymë është edhe romani i Blushit, vetëm se nga një perspektivë më e sofistikuar, ajo letrare, ku muslimani i mirë ekziston vetëm atje, në Lindjen e Mesme.
Në trurin ekstremist, nacionalist, çdoherë tjetri është pengesa, frikë nga cënimi i përkatësisë, identitetit apo ideologjive. Ndërsa diversiteti ju është i papranueshëm. Kjo frymë është ringjallur kohëve të fundit edhe në Evropë, përmes asaj që e quajmë ekstremi i djathtë: mospranimi i kulturave të ndryshme, politikat kundër migracionit, të cilat më pas rrjedhin në urrejtje racore, etnike dhe fetare, duke kaluar pashmangshëm në tensione, konflikte dhe madje luftëra brenda shoqërive ose mes shteteve. Megjithatë, kjo lloj urrejtjeje e ekstremit të djathtë, për ironi, u është kthyer si bumerang, sidomos sa i përket rritjes së numrit të konvertimeve në fenë islame.
Librat e Blushit, ashtu si edhe ata të paraardhësve me të njëjtën frymë, të cilët, siç do të thoshte Rama me stilin e tij, duken sikur janë shkruar nga një karrocier i dehur, i janë shitur një shoqërie shqiptare që, sipas statistikave të Barometrit të Euroneës Albania (2022), rreth 80% e qytetarëve raportojnë se nuk kanë lexuar apo blerë një libër brenda vitit (një trend që vazhdon edhe sot, në mos më keq). Dhe nuk është rastësi që libra të tillë, si ai në fjalë, rezultojnë ndër më të kërkuarit nga lexuesit shqiptarë, brenda dhe jashtë panairit: një popull që mesatarisht nuk lexon, kapet lehtë nga reklama, zhurma, dhe letërsia e banalitetit e ofendimit, e mbështjellë me karremin e artit, letërsisë apo politikës.
Shumë mendimtarë bashkëkohorë bien dakord se nuk ka ndonjë dallim mes atij që nuk di të lexojë dhe atij që thjesht nuk lexon. Nga një lloj analfabetizmi i tillë, i kuptuar në këtë prizëm, nuk është e rastësishme që kemi edhe një kinematografi të “famshme” si ajo e “artist-regjisorëve” të Portokallisë (emision humoristik) dhe të ngjashmëve të tyre, apo muzikë e koncerte tallava e të tjera formate ku shpenzohen qindra mijëra euro, me vlerë minimale artistike. Përkundrazi, shpesh prodhohet dekadencë dhe një lloj armiqësie brendashoqërore, qoftë në aspektin social, etnik apo fetar. Ndërkohë, shkrimtarët, aktorët dhe këngëtarët e vlerave të mirëfillta kanë mbetur në hijen e kësaj injorance pseudo-artistiko-letrare.
Rama, kur flet për Blushin, jo vetëm që i përshkruan karakterin tinëzar e përçarës, njeri që hedh gurin e fsheh dorën, nxit urrejtje e më pas thirret në paqe, bën dëmin dhe luan viktimën, por, në njëfarë mënyre, e “pensionoi” politikisht atë: fillimisht nga radhët e Partisë Socialiste dhe më pas nga konkurrenca e partive politike, kur Blushi garoi me partinë “LIBRA”. I përmendim këto elemente në kontekst të debatit që ka ngjallur romani i tij, për të kuptuar më qartë karakterin e letërsisë që prodhon, me personazhe muslimanësh e “islamistësh”, pa qenë vetë shkrimtari as historian i religjioneve, as studiues i feve të mëdha të njerëzimit, madje as i çfarëdo fushe të orientit apo i ndonjë krahasimi serioz mes normativës islame dhe asaj laike, qoftë shqiptare apo të huaja.
Megjithatë, letërsia i jep hapësirë çdokujt të notojë edhe kur nuk di not, të fluturojë edhe kur s’ka krahë, të bëjë luanin edhe kur është maçok, apo të vetëvlerësohet si shkrimtari më i mirë, edhe kur realisht mund të mos jetë as në renditjen e 100 shkrimtarëve më të mirë shqiptarë. Por në momentin kur këto pohime dalin jashtë kufijve të letërsisë, në intervista, deklarata publike apo tribuna të ndryshme, ato shndërrohen në defekte logjiko-mendore; në rastin minimal, në cënim të dinjitetit dhe lirisë së tjetrit, pikërisht asaj lirie që Blushi përpiqet t’ua shesë shqiptarëve, ndërkohë që ai vetë provokon me qëllim. Në këtë mënyrë, ai synon të shndërrohet në një lloj “Charlie Hebdo”-je në versionin e tij, në mes të një shumice të qëndrueshme myslimanësh në hapësirën shqiptare.
Me të drejtë, libra të këtillë përceptohen si mllefe personale të mbartura nga një e kaluar e erët ateiste. Ngase çdo lloj debati, analize, studim për çështjet fetare apo etnike, qoftë edhe krimtari artistike – letrare, duhet të jetë e minimalisht e mirëmenduar, kontstruktive dhe në harmoni të bashkëjetesës fetare, etnike apo racore. Nuk mund të fshehim dorën e urrejtjes dhe fyerjes në maskën e letërsisë, e pastaj të luajmë rolin e viktimës. Letërsia nuk përjashtohet nga dënimi i gjuhës së urrejtjes dhe shpifjes nacionale e fetare, ashtu siç nuk përjashtohet përcaktimi fetar, kur nëpërmjet këtij përcaktimi mund të shfaqim armiqësi dhe mllefe shpirtërore për një kategori tjetër shoqërore.
Liria përfundon aty ku fillon të cënohet liria e tjetrit. Debati mbi këtë çështje është sot global, dhe shumë shtete perëndimore kanë filluar të sanksionojnë çdo fyerje ndaj komuniteteve të caktuara, qoftë në formë arti, letërsie apo në çdo format tjetër që mund të lëndojë ndjenjat e njerëzve. Fyerje është edhe kur krijon letërsi të mbështetur në klishe, paragjykime dhe stereotipe, e më pas i shndërron këto në bindje personale gjatë intervistave, tribunave dhe fjalimeve, me pretendimin se po i shpëton shqiptarët nga një “rrezik i madh fetar. Një logjikë që ngjan shumë me mënyrën se si të ngjashmit e Blushit, në sistemin komunist, “shpëtuan” shqiptarët pikërisht nga ky rrezik fetar.
Romane që pasqyrojnë cektësinë e mendimit dhe stereotipet e një kategorie shoqërore ndaj një tjetër (në këtë rast, anti-islam), por që ngjallin debat e shiten falë marketingut konfliktuoz dhe injorancës së përgjithshme të shqiptarëve ndaj leximit, myslimanët bëjnë mirë t’i “pensionojnë” ngadalë, bashkë me autorin e tyre. Të mos i blejnë dhe të mos i lexojnë fare. Neglizhenca dhe injorimi i një letërsie shpifëse e ofenduese është e ngjashme me neglizhencën, injorimin dhe refuzimin e njerëzve toksikë: ata që nuk mund të ofrojnë asgjë tjetër përveç toksinës së qenies së tyre, në një pandreqshmëri të pafundme shoqërore. Çdo blerje e librave të tillë është një stimul për autorin, sepse budallallëku është i pafund dhe libra alla-Blusha mund të prodhohen me qindra. Izolimi i kotësisë dhe i vesit, në letërsi, art, sport apo kudo në shoqëri, është forma më e mirë për shëndetin e shoqërisë, në çdo drejtim.
Rama pensionoi Blushin nga partia dhe politika përmes neglizhencës dhe demaskimit politik. Në të njëjtën mënyrë, myslimanët mund të nxjerrin “blushat” nga hapësira e leximit të letërsisë, derisa veprat e tij të jenë etike dhe të vyera për shoqërinë, ku edhe kritika dhe mendimi ndryshe respektojnë tjetrin. Neglizhenca shpesh kërkon më shumë përpjekje dhe mençuri sesa konfrontimi. Ndërkohë, hapësira shqiptare dhe ajo botërore e letërsisë ofron shumë shkrimtarë të shquar që meritojnë të lexohen dhe rilexohen.
Si më poshtë, fjalimi – replikë i para 8 viteve në parlamentin shqiptar, i politikanit Edi Rama ndaj politikanit Ben Blushin:
“…Me vjen keq për Blushin, madje për ca të rinj që ngatërrojnë derën e bilblotekës me derën e partizës së tij. Mbi derë shkruhet “Libra”, por brenda ka vetëm një shkrimtar të ri, e politikan shumë të vjetër, që për një karrige shumë të vjetër në parlamentin e ri, shikojeni, e ka kthyer vetveten në personazhin e fryrë me ajrin e ambicies së tij. Një personazh i sajuar tamam si në letërsi, por ama ketë herë njeri i gjallë në librin e jetës sonë reale i cili sapo ka zbritur këtu mes nesh, mes shkretërve shqiptar, nga një planet tjetër, për tju dhënë pushtetin të varfërve, sapo ti ketë dhënë dërmen partive të vjetra.
…Ky është sot miku im Beni. Të dashur shokë të tij, gjithë ju këtu, e kam dëgjuar vetë se si në këtë foltore, është rropatur duke recituar hartime të mbushura me mllefin e vetë të pangushëllueshëm. Është rropatur të krijojë personazhin e tij, në sytë e atyre që se njohin, sepse janë shumë të rinj, ose nuk e deshifrojnë se janë shumë të lodhur. Dhe skam dashur asnjëherë ti kushtoj kohë dhe fjalë, përveç se njëherë që më detyroi nga një interpelancë e çartur parlamentare kur më thirri bashkë me Zotin Nardi dhe zotin Vangjeli. Kam menduar që miku im i betuar si kundërshtar, nuk meriton përgjigje. Dhe është shumë e thjeshtë pse, sepse erdhi në këtë parlament për të përfaqësuar socialistët e Elbasanit, dhe përdori mandatin e tyre të pafajshëm për të bërë fajin banal të përgojimit dhe baltosjes, ndaj qeverisë se tyre dhe gjithë soicialisëve të Shqipërisë, zi e më zi, Sali e më Sali, shto katran e shto bojë, këtu në këtë foltore.
…O Blush edhe sot kështu mendoj, që ti nuk meriton minuta dhe fjalë nga koha dhe puna jonë. Por kjo përgjigje sot, para se ta lëshosh për pak javë karrigen e deputetit socialist të Elbasanit, të cilën e ke zënë padrejtësisht, dhe e ke abuzuar maksimalisht për hesapet e tua personale. Ky është një shpjegim nga ana ime, nga ana jonë, për ata që s’të njohin, apo s’të deshifrojnë dot nga larg, të cilëve ja ndiej për borxh dhe tu dal borxhit, dhe t’ju them se personazhi yt më i ri, kryetari më i ri, kryetari i 219 i partisë në formë veture private, është një xhaketë jo vetëm e vjetër në garderobën e kësaj politikës sonë, por edhe e kthyer mbrapsht më shumë se njëherë, në plot më shumë se 20 vjet me rradhë.
…Edhe gjithashtu po i jap këtë përgjigje sot edhe në emër të gjithëve ju, por edhe si borxh ndaj shokëve tanë dhe tij, ministra deri në javën e kaluar, të cilëve ju kishte rezervuar nga kjo foltore, një batërdi prej kepëdari gojështhurur, që ai e kujton për gjenialitet oratorik, por që në fakt janë shpërthime shembullore të një smirëzezllëku karakteristik. E vërteta e vjetër që gjithë në shokët e shoqet e partisë se tij të vjetër, e dimë prej shumë kohësh, është që Beni vdes për pak ministër. Aq shume vdes për pak ministër, sa është gati të shfaqet i rilindur në lëkurën e personazhit të krijuar prej atij vetë, me veten e tij. Për tu dukur si politikan i ri, në librin e vjetër të politikës. Ku ai në fakt nuk mungon si protagonist i vjetër, kulisash dhe tribunash, që nga dita e parë e qeverisë së parë të Fatos Nanos, 20 vjet nga sot.
…Dhe e dimë të gjithë që ti jo vetëm vdes të bëhesh pak ministër, po të vjen vdekje me tepri që tjerët bëhen ministra dhe ti jo. Po mirë mo shpëtimtari i pavlerësuar i Shqipërisë, se më erdhi shumë zor ku ju lëshove Blendi Klosit me një fjalor si karrocier i dehur. Po si mund të ishe ti ministër i këtij mandati të Partisë Socialiste, që si udhëheqës politik i qarkut të Elbasanit, more rezultatin më të dobët të partisë socialiste në 12 qarqe, dhe jo Blendi Klosi që udhëhoqi Partinë Socialiste në qarkun e Durrësit, duke marrë rezultatin më të mirë në 23 vite të Partisë Socialiste. Po mirë mo strateg i paprovuar i Shqipërisë, si mund të ishe ti ministër, që si ish-ministër i kësaj partie, dy herë në kohën e Fatosit, bëre dy vrima të mëdha në ujë. Ti që nga qeveria e Ilirit u shkarkove flutirimthi si zëvendës ministër i jashtëm, se hape një nga ato gropat e papërgjegjshmërisë tënde lapidare, të marrëdhënieve të punës.
…Ti ministër, e jo Ilir Beqja, që ty të jep ujë në bisht të lugës, kur flitet për program e reforma. Dhe mos e vazhdoj krahasimin me leximin e shifrave dhe me kuptimin e fakteve të sektorëve qeverisës, se këtu e dinë të gjithë që në ato thellësira ti hahesh vetëm me Nard Ndokën, kush është më i thellë. Por mirë more reformator i pazbuluar i Shqipërisë, po si mund të ishe ti ministër, që kur drejtove nje goxha ministri të pushtetit vendor dhe me demek të bëje reformën territoriale dhe kartën e identitetit, se për ato dy punë të shkreta të çoi Fatosi i shkretë, një nga dy herët që të bëri ministër, nuk qullose as njërën as tjetrën. Pra të ishe ti dhe jo Blendi Çuçi, që me dy zyra si ministër shteti, një kur rinte vetë dhe një me tre bashkëpunëtor, bëri reformën administrative territoriale, një zhvillim historik në rrugën tonë për të bërë shtet… politika ka vend për tullumbacë si puna e Benit, parlamenti ka vend për gënjeshtarë profesionist si puna e tij.
…Qeveritë në këtë vend kanë pasur vend edhe për ministra sa për të zënë vendin si puna e tij (i drejtohet me gisht Blushit), por Blush, siç tregoi edhe koha, Partia Socialiste ka aq shumë ministra, më të zotë se ty për Shqipërinë, se sa ti dhe personazhi yt i ri, me partizën tënde të re, që stë mbeti gjë tjetër vetëm të ikësh, dhe ta qëllosh nga jashtë me baltën e saliut, këtë parti, pasi u lodhe pa sukses ta rrëzosh nga brenda këtë qeveri. E di që edhe sot s’ke si e voton ti Oltën, që ka një përkushtim për punën që ti nuk e ke, as Ogertën që ka një aftësi menaxheriale që ti nuk e ke, as Shalsin që ka një vyrtyt shumë të rëndësishëm, respektin për tjerët, që ti nuk e ke. As Fatmirin jo e jo, që ka të mirën e madhe që nuk e lidh kontributin për skaudrën tonë me rëndësinë e karriges ku ulet, gjë të cilën ti, jo nuk e ke, por nuk e kupton.
…Tani vazhdo bjeri legenit, çadrës, përbetohu po deshe që ske asnje lidhje me çadrën, por të lutem na e kurse betimin që ske lidhje me ulluqet e ujërave të zeza të çadrës… asgjë personale thjesht informim për ata që s’të njohin, për të rinj që lexojnë tek dera “Libra”, dhe hyjnë brenda dhe gjejnë një shkrimtar të ri dhe politikan të lodhur, dhe për të tjerë që nga distanca nuk e deshifrojnë dot… ajo çka thashë ishte detyrim ndaj njerëzve dhe detyrim ndaj shokëve tanë ministra dhe gjithë tjerëve këtu, që sa herë futen në gojën tënde, duhet të ndihen sikur janë në nofullën e Saliut. Ajo që kam dëshirë të tregoj, ne e dimë, por për ata që nuk të njohin, është historia e akrepit me bretkosën, i thotë akrepi bretkosës të hipi në kurriz që ta kalojmë bashkë këtë lum, hajde i thotë bretkosa, dhe mu në mes të lumit akrepi i fut thumbin. Çfarë bën i thotë bretkosa, na mbyte të dyve, skam çbëj tha akrepi, është në natyrën time. Kryetari i 297 i partisë në formë veture personale.
… se kush stë njeh o ti miku im i pandreqshëm, e di se me ty mund të kalohet mirë darkave për qejf, hidh e prit fjalë, mbush e zbraz verë, por me ty nuk shkohet asgjëkundi në mëngjes, se ke një dreq zakoni që në çdo tre hapa i fut stërkëmbëza bashkëudhëtarëve. Dhe në fund një këshillë miqësore, kur del në fotografi me të varfërit, hiqi syzet e diellit se dukesh si turist. Për më tepër, syzet nuk ta maskojnë dot hipokrizinë përballë vështrimit të tyre. Në këtë sallë (parlament) ka vetëm një të vërtetë, smira jote, që ta verbon shikimin dhe ta zgjidh gjuhën dhe vjen e na tregon politikanin e ri që të dërrmojë partitë e vjetra, Je një mbeturinë e KPD-së, asgjë më shumë se kaq. Kur vjen e flet këtu, pa fakte, pa shifra, pa të vërteta, gënjeshtra, gënjeshtra, gënjeshtra. I trajton të vërtetat sikur janë romane. Të vertetat nuk janë romane, faktet nuk janë romane, shifrat nuk janë romane, dhe mbi të gjitha marëdhënia etike me njerëzit nuk është si në roman. Ke bërë personazhin e vetvetes, edhe vjen këtu për t’ja shitur njerëzve, si shpëtimtarin, turp…”