Këshilltari komunal dhe aktivisti qytetar, Arlind Murtezani, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si udhëheqja e Komunës së Tetovës ka interpretuar raportin e fundit të Komisionit Evropian, duke e quajtur “të turpshme propagandën” e pushtetit lokal informon Tetovasot.
Në një postim publik në rrjetet sociale, Murtezani tha se Komuna e Tetovës po përpiqet të paraqesë si sukses atë që në fakt është vetëm një detyrim administrativ – përfundimi i të ashtuquajturit “kadastri i gjelbër”, që nënkupton vetëm regjistrimin dhe hartëzimin e ndotësve të ajrit për qëllime planifikimi.
“Në raportin e Komisionit Evropian, Tetova është përmendur vetëm si një nga komunat që e kanë përfunduar këtë proces teknik. Asnjë fjalë nuk thuhet për rritje të hapësirave të gjelbra apo përmirësim të cilësisë së ajrit, siç pretendon pushteti lokal,” theksoi Murtezani.
Ai akuzoi udhëheqjen komunale për dezinformim të qytetarëve, duke thënë se realiteti në terren është krejt ndryshe nga propaganda zyrtare.
> “Tetova është shndërruar në një parking të madh me ndërtime të pakontrolluara, ajër të ndotur dhe mungesë të hapësirave të gjelbra. Në vend të masave konkrete, kemi vetëm fjalë boshe dhe mashtrime,” – shkroi ai.
Murtezani kërkoi nga kryetari dhe administrata komunale të ndalin mashtrimin e opinionit publik dhe të ofrojnë rezultate të prekshme për qytetarët.
> “Qytetarët e Tetovës nuk janë të paditur – ata informohen dhe e njohin realitetin. Të paraqesësh dezinformata si arritje është fyerje për inteligjencën e tyre,” – përfundoi Murtezani.
Reagimi i tij ka ngjallur diskutime në rrjetet sociale, ndërsa nga Komuna e Tetovës ende nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar lidhur me akuzat.