Drejtori i Fondit Pensional të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Memov mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Sistem i qëndrueshëm pensional – dy dekada progres” të organizuar nga Asociacioni i shoqatave të menaxhimit të fondeve pensionale të Maqedonisë së Veriut. Në fjalimin e tij, ai theksoi se vetë reforma e sistemit pensional ka kontribuar në përmirësimin e situatës, por, siç tha, “ende ka sfida”.
“Një nga sfidat më të mëdha është deficiti në buxhetin e Fondit i cili është zvarritur me vite që është rezultat i disa faktorëve, duke përfshirë numrin e pamjaftueshëm të personave të siguruar në krahasim me numrin në rritje të pensionistëve, ndarjet nga kontributi për SPI për shtyllën e dytë si dhe kontributi për sigurimin shëndetësor të pensionistëve i cili bie mbi Fondin”, tha Memov.
Ai theksoi se sfida të tjera që kanë dhe do të kenë një ndikim në rritje në periudhën e ardhshme janë plakja e popullsisë dhe zvogëlimi i popullsisë sipas moshës së punës për shkak të shkallës më të ulët të lindjeve me të cilën përballet vendi, si dhe emigrimi, veçanërisht i të rinjve.
Drejtori i Fondit pensional theksoi se masa e parë dhe themelore për konsolidimin e situatës financiare të sistemit të pensioneve është rritja ekonomike e vendit dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Ai tha se është e pamundur të konsolidohet vetëm një segment, pra vetëm sistemi i pensioneve dhe është e nevojshme të shihet pamja e përgjithshme, sepse sistemet janë të lidhura dhe të varura nga njëri- tjetri.
“Shteti mbështetet në disa shtylla bazë: sistemi politik (gjyqësori dhe administrata shtetërore, sistemi shëndetësor, arsimi, etj.); sistemi i sigurisë (ushtria dhe policia); sistemi ekonomik (sektori privat, real, sistemi bankar) dhe sistemi i pensioneve (i cili përfshin pothuajse gjysmën e hyrjeve buxhetore dhe 2/3 e popullsisë). Të gjitha këto shtylla janë të ndërlidhura dhe konsolidimi i tyre i ndërsjellë është i nevojshëm”, tha mes tjerash Memov.