Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se nga 15 nëntori deri më 15 mars, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, të gjitha automjetet që marrin pjesë në trafikun publik rrugor duhet domosdoshmërisht të posedojnë pajisje dimërore.
Sipas njoftimit të MPB-së, i publikuar nga Tetovasot, kjo masë zbatohet në bazë të Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 169/15, 226/15, 55/16, 11/18, 83/18 dhe 191/18) dhe Ligjit për Ndryshimet në Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor (“Gazeta Zyrtare e RMV-së” nr. 70/19, 98/19, 302/20, 122/21, 33/24, 208/24 dhe 193/25).
Në përputhje me Rregulloren për Pajisjen e Detyrueshme të Automjeteve (Gazeta Zyrtare Nr. 31/2010), pajisje dimërore konsiderohen:
Për automjetet deri në 3,500 kg: goma dimërore në të katër rrotat me thellësi minimale 4 mm; ose goma verore me thellësi të njëjtë, nëse automjeti ka zinxhirë bore për rrotat lëvizëse.
Për automjetet me katër rrota aktive (4×4): goma dimërore me thellësi minimale 6 mm, ose goma verore me zinxhirë bore për boshtin e duhur sipas llojit të transmisionit.
Për automjetet mbi 3,500 kg dhe autobusët: goma dimërore në rrotat lëvizëse me thellësi minimale 6 mm, ose goma verore me zinxhirë bore; në rastet kur nuk mund të vendosen zinxhirë, duhet të kenë goma dimërore dhe lopatë.
Gomat dimërore duhet të kenë njërën nga shenjat: “MS”, “M+S”, “M & S” dhe simbolin e flokut të dëborës mbi malin me tre maja.
MPB rikujton se përdorimi i gomave me thumba është i ndaluar në trafikun rrugor.
“U bëjmë thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë detyrimin ligjor për të pasur pajisje dimërore, sepse vetëm në këtë mënyrë sigurojmë trafik të qetë dhe të sigurt në kushte dimërore,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, shkruan Tetovasot.