Vdekja e 37 vjeçares në Klinikën për Kirurgji Digjestive, Aliu: Inspektorati është në terren, do të formohet edhe komision ekspertësh
Pas dy operacioneve në Klinikën për Kirurgji Digjestive në Shkup, ka ndërruar jetë një 37-vjeçare, paciente me sëmundjen e Kronit. Familja dyshon për gabim mjekësor, duke thënë se pas operacionit të dytë, gjendja e saj është përkeqësuar dhe se mjeku kryesor ka udhëtuar jashtë vendit, duke ia lënë trajtimin specialistëve të rinj.
Sipas familjes, pacientja ka vdekur ditën që është lëshuar nga spitali, pa u përmirësuar. Nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor konfirmuan se kanë marrë ankesën dhe po kryejnë kontroll të jashtëzakonshëm, ndërsa drejtori i klinikës, Ognen Kostovski, njoftoi se do të formohet edhe komision i brendshëm për të hetuar rastin. Nëse vërtetohet faj, klinika premton masa sipas ligjit. Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se do të nënshkruaj të formohet komision ekspertësh të shqyrtojë shkaqet e vdekjes.
“Inspektorati Sanitar Shëndetësor sot ka dalë në terren, definitivisht do të nënshkruaj për një komision ekspertësh që të krijohet dhe të shohim sipas pasqyrës klinike çfarë ka ndodhur me pacienten”, theksoi Azir Aliu – ministër i Shëndetësisë.