Kryetari i Shkupit tregon se borxhi i qytetit ka kaluar 300 milionë euro, paralajmëron ndryshime në ndërmarrjet publike

Kryetari i Komunës së Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka zbuluar se borxhi i përgjithshëm i ndërmarrjeve publike të qytetit tejkalon 300 milionë euro, shumë më tepër nga pritjet prej 200 milionë.

“Do të kërkohet një angazhim më serioz, por kjo është një sfidë dhe motiv shtesë për të ndërtuar një metropol me të cilin të gjithë do të krenohemi,” – deklaroi Gjorgjievski për TV Sitel.

Ai shtoi se situata nuk e frikëson dhe se, me një ekip të mirë dhe mbështetje nga Qeveria, qyteti do ta kapërcejë krizën. Kryetari njoftoi se të gjitha ndërmarrjet publike do t’i nënshtrohen ndryshimeve kadrovike, nga ekipet menaxheriale deri te drejtorët e institucioneve publike, kulturore dhe shkollave të mesme.

“Është e natyrshme që çdo njeri të ketë ekipin e vet me të cilin dëshiron të punojë. Ndryshimet kadrovike do të bëhen publike në ditët në vijim,” – tha ai.

Gjorgjievski gjithashtu bëri të ditur se numri i punonjësve të pushuar nga puna për mungesë në detyrë është rritur nga 370 në pothuajse 500 persona, që përbën një humbje vjetore prej pesë milionë eurosh – para të mjaftueshme për ndërtimin e një Luna Parku.

> “Kjo dihej edhe më herët, por duket se mungonte guximi për të marrë masa. Nuk do të kem asnjë tolerancë për raste të tilla,” – theksoi kryetari.

Ai shpjegoi se po shqyrtohet mundësia që jo vetëm të pushohen nga puna, por edhe të kërkohet kthimi i fondeve dhe përgjegjësi nga drejtuesit dhe menaxherët që kanë lejuar një situatë të tillë.

Më shumë raste të tilla janë evidentuar në NP Parket dhe Gjelbërimi, NP Higjiena Komunale, por edhe në Drislla, Ujësjellësi dhe Kanalizimi, si dhe në ndërmarrje të tjera publike.

“Nuk bëhet fjalë për tri ditë, por për muaj e madje vite – njerëz që kanë qenë në listën e pagave pa shkuar fare në punë,” – shtoi Gjorgjievski.