VLEN: Bekim Sali do të jetë zëvendës kryeministër

Edhe përkundër faktit që Mickoski mohon që të ketë marrëveshje që Bekim Sali të jetë pasardhësi i Izet Mexhitit në postin e zv/kryeministrit të parë, VLEN këmbëngul se kjo është çështje e kryer. Përfaqësuesi i këtij koalicioni Driton Sulejmani thotë se ditët në vazhdim së bashku me kryeministrin do të dakordohen detajet.

“Në rast se VMRO është partia e parë në pushtet, VLEN pas këtyre zgjedhjeve është partia e dytë me fuqi politike në shtetin tonë dhe si rezultat i këtyre zgjedhjeve ndodhi që pozita e zv/kryeministrit të parë të zotëri Mexhitit, për shkak se ai garoi në zgjedhjet lokale në Çair dhe i fitoi ato, të jetë vakante. Detajet se si do të bëhet ky operacion i këtyre pozicionimeve do të mbetet që të dakordohen në një takim që do ta kenë liderët tanë së bashku me kryeministrin Mickoski, ku për të gjitha detajet se cili do të jetë resori që do ta përfaqësojë zotëri Sali në Qeverinë e ardhshme- ajo që do të jetë zv/kryeministër i parë është çështje e kryer, mirëpo ndonjë resor në prapavijë, mbetet të dakordohet në takimin e ardhshëm që do ta kenë liderët tanë me Mickoskin”, tha Driton Sulejmani, VLEN.

Një ditë më parë Mickoski tha se nuk ka ende një marrëveshje për Bekim Sali. Pas kësaj deklarate, deputetja e VLEN-it nga radhët e Alternativës Imërlije Saliu e cilësoi Bekim Salinë si kryeministrin e shqiptarëve, që më pas ta ndryshojë postimin e saj në fejsbuk duke shkruar : Abija, Bekim Sali, së shpejti zv.kryeministër i shqiptarëve në RMV.

Bekim Sali tanimë dy muaj përmendet si emër i mundshëm për zëvendës kryeministër të parë në vend të Izet Mexhitit, por vetëm një ditë më parë kryeministri Hristijan Mickoski tha se kjo gjë nuk është dakorduar, ndërsa i rikujtoi VLEN-it se VMRO-DPMNE është partia e parë më e madhe në Maqedoni, se ai është mandatar i Qeverisë dhe se fjalën e fundit e ka ai. Në prag të rikonstruimit të Qeverisë, koalicioni VLEN duhet të bëjë kalkulime të reja pasi nëse Bekim Sali propozohet për zv.kryeministër të parë duhet të jetë edhe ministër. Dikasteri i Ekologjisë mbetet në duart e LD-së së Izet Mexhitit. Në këtë rast, VLEN duhet të vendosë nëse Sali do të zëvendësojë ndonjërin nga ministrat e tjerë, në këtë rast të partisë së tij Alternativa, përkatësisht Orhan Murtezanin në ministrinë e Çështjeve Evropiane, apo ndonjërin nga ministrat e Aleancës së mbetur në VLEN, pasi Mickoski e bëri të qartë se dikastere shtesë për VLEN-in nuk do të ketë.