Skandal në policinë e Tetovës: Polici i ndihmon policit tjetër për të shkatërruar provat për djalin e tij të dyshuar për drogë





Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime kriminalistike dhe standarde profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit – Njësia e specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve, kundër F.N., punonjës policie në Njësinë për polici kriminalistike pranë SPB Tetovë, për shkak të dyshimit të bazuar për veprën penale “pengim i drejtësisë”, e parashikuar dhe e dënueshme sipas nenit 368-a, paragrafi 8 i Kodit Penal.

I denoncuari, si teknik kriminalistik kujdestar për regjistrim kriminalistik më 04.10.2025, gjatë kryerjes së detyrave të tij në një rast ku dy persona ishin privuar nga liria për shkak të dyshimit për veprën penale “prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e lëndëve narkotike, substancave psikotrope dhe prekursoreve” sipas nenit 215 të Kodit Penal, i ka mundësuar punonjësit të policisë O.S., i cili atë ditë nuk ishte në detyrë dhe është prind i njërit nga të ndaluarit I.S., që të ketë qasje të plotë në dokumentacionin zyrtar, të disponojë me të, ta zhvendosë nga një në dhomë tjetër, t’i shoqërojë të ndaluarit gjatë marrjes së mostrave biologjike dhe të marrë mostra urine nga ta, njofton TS.

Pas ekspertizës së kryer mbi mostrat e urinës, është konstatuar se mostra e urinës që duhej të ishte e I.S., në fakt ishte dhënë nga babai i tij, punonjësi i policisë O.S.

Me këto veprime, i denoncuari F.N. kishte për qëllim të shkatërronte provat dhe të pengonte ose vështirësonte procesin e provimit gjatë procedurës. Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime kriminalistike dhe standarde profesionale do të parashtrojë edhe propozim për fillimin e procedurës për përgjegjësi disiplinore ndaj F.N. dhe do të shqiptojë masën e detyrueshme të pezullimit nga vendi i punës – suspendim./TS