Mickoski: Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane, por pa standarde të dyfishta dhe pa presione politike (VIDEO)
Komisioni Evropian e publikoi Raportin Vjetor për përparimin e vendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian
Raporti nuk është një vlerësim vetëm për një vit apo për një qeveri, por për kontinuitetin e proceseve reformuese, nivelin e pjekurisë institucionale dhe mënyrën se si vendi përgjigjet ndaj prioriteteve afatgjata evropiane.
Ajo që është më e rëndësishme të thuhet në fillim është se Qeveria mbetet 100% e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, gjë që paraqet një arritje të rëndësishme për karakterin e marrëdhënieve tona të ndërsjella dhe për nivelin e përkushtimit tonë ndaj vlerave evropiane.
Në raport vërehet se në disa fusha ekziston “përparim i caktuar” apo “i kufizuar”. Konkretisht, nuk ka fusha me regres, ndërsa në katër kapituj është shënuar “përparim i mirë”. Në një kapitull, “Lëvizja e lirë e kapitalit”, madje është rritur niveli i përgatitjes, falë anëtarësimit në SEPA dhe zbatimit të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Komisioni përshëndet hapat e ndërmarra në pjesën e ekonomisë, me një sektor bankar stabil, rritje të moderuar të BPV-së, miratimin e Ligjit për kontrollin e brendshëm publik dhe emërimin e anëtarëve të Këshillit Fiskal, masa këto që e forcojnë disiplinën fiskale dhe transparencën.
Ka vlerësime pozitive edhe për digjitalizimin, modernizimin e administratës publike, krijimin e sistemeve të prokurimeve elektronike dhe forcimin e sigurisë kibernetike.
Përparim është vërejtur gjithashtu në arsim, shkencë dhe politikat rinore, veçanërisht përmes pjesëmarrjes më të madhe në programet Horizon Europe dhe COST.
Në fushën e infrastrukturës, Komisioni Evropian i evidenton aktivitetet e mëdha rreth Korridorit VIII, rrjetit TEN-T dhe Ligjit të ri për energjinë, me të cilin hapet rruga drejt një tranzicioni të gjelbër dhe të drejtë.
Vendi vazhdimisht e përmirëson përgatitjen e tij në fushën e lirisë së shprehjes dhe të mediave. Është e rëndësishme të theksohet se është arritur përparim real në segmente kyçe të rregullativës mediale dhe pavarësisë institucionale.
Veçanërisht është përmendur forcimi i pavarësisë financiare të Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuele, gjë që paraqet një hap të rëndësishëm drejt një pune më transparente dhe profesionale të mediave. Për më tepër, zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit të AVMU-së nga Kuvendi e konfirmon përkushtimin ndaj procesit demokratik dhe stabilitetit institucional.
Këto hapa kontribuojnë në forcimin e interesit publik.
Sa i përket kornizës ligjore, megjithëse nevojiten përshtatje të mëtejshme me legjislacionin evropian, veçanërisht me Aktrin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), tashmë janë ndërmarrë hapa konkretë përpara në Ligjin për mediat. Kjo tregon se Qeveria po punon në mënyrë aktive për t’u afruar me standardet evropiane dhe për të krijuar një kornizë ligjore që garanton lirinë dhe pluralizmin e medias.
Sigurisht, raporti thekson edhe sfida që shteti duhet t’i adresojë me një dinamikë më të fortë.
Sfida ekzistojnë në sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Polarizimi politik dhe mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional mbeten pengesa që e ngadalësojnë zbatimin e reformave.
Kjo Qeveri është plotësisht e vetëdijshme për këto sfida dhe tashmë po punon për t’i kapërcyer ato.
Janë vendosur prioritete të reja për reformën e gjyqësorit, për rritjen e përgjegjësisë dhe për vendosjen e kritereve të qarta për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë.
Në pjesën e antikorrupsionit, procesi i digjitalizimit të plotë të prokurimeve publike dhe transparencës së shpenzimeve buxhetore do të vazhdojë edhe në vitin 2026.
Sa i përket administratës publike, Qeveria është e vendosur të ndërpresë modelin shumëvjeçar të partizimit dhe të vendosë një sistem në të cilin kompetenca dhe profesionalizmi do të jenë kriteret e vetme për avancim.
Paralelisht, vazhdojnë edhe aktivitetet për përmirësimin e kushteve në burgje, avancimin e të drejtave të njeriut dhe integrimin social të kategorive të cenueshme.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Si Qeveri, ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe reformave që e bëjnë shtetin më të fortë, më funksional dhe më të drejtë.
Ne do t’i adresojmë të gjitha fushat ku është vërejtur ngecje, me masa konkrete, afate të qarta dhe llogaridhënie.
Qëllimi ynë është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian.