Kurti: Izeti dhe Bilalli fituan me meritē!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar dy kryetarët e rinj të komunave në Maqedoninë e Veriut, Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, pas fitores së tyre në zgjedhjet lokale, duke theksuar se suksesi i tyre është rezultat i punës së ndershme dhe projekteve konkrete informon Tetovasot.

“Izeti dhe Bilalli triumfuan me meritë, sepse me projekte konkrete dhe punë të ndershme. I pari që në raundin e parë, i dyti dy javë më vonë, por të dy ngadhënjyen me diferencë të thellë,” – ka shkruar Kurti në postimin e tij.

Sipas tij, fitorja e VLEN-it në dhjetë komuna nga Çairi në Tetovë është dëshmi e qeverisjes së mirë dhe e vullnetit për ndryshim te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Kurti vlerësoi se në 15 muajt e parë të qeverisjes, VLEN ka demonstruar integritet politik, pa korrupsion dhe pa skandale, duke sjellë një “dallim etik” me qeverisjet e mëparshme raporton Tetovasot.

Ai theksoi gjithashtu se kjo frymë e re ka thelluar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, nga takimet ndërqeveritare deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit.

“Kosova mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoninë e Veriut, si një dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tonë,” – ka përfunduar Kurti.TS

Postimi i plote:

Nga Çairi në Tetovë, VLEN-i ka arritur të fitojë në dhjetë komuna në Maqedoninë e Veriut. Dy miqtë e mi, Izeti e Bilalli, triumfuan me meritë sepse me projekte konkrete dhe punë të ndershme. I pari që në raundin e parë, i dyti dy javë më vonë, por të dy ngadhënjyen, me diferencë të thellë.
Suksesi në zgjedhjet lokale është konfirmim i qeverisjes së mirë të VLEN-it, i vullnetit për ndryshim te shqiptarët dhe një shans i madh për reforma në Maqedoninë e Veriut.
Në 15 muajt e parë në pushtet, VLEN-i ka qeverisur me duar të pastra, pa korrupsion e skandale, duke bërë edhe një dallim etik me qeverisjet e kaluara. Pikërisht kjo frymë e ndryshimit, ka sjellur një bashkëpunim të hapur e shumë dimensional mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Nga takimi përmbajtësor i dy qeverive tona e deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit, Kosova e Maqedonia e Veriut si kurrë më parë kanë thelluar raportet fqinjësore. Qeveria e Kosovës mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoni të Veriut, si një dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tonë.