Blerim Bexheti: Përgjimet janë montime nga 2015, pse dikush ishte i amnestuar edhe nga Zaevi edhe nga Mockovski (VIDEO)

Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Blerim Bexheti, ka reaguar pas publikimit të disa përgjimeve në ditët e fundit të fushatës, ku përmendet edhe emri i tij bashkë me ish-ministrin Musa Xhaferi.

Në një deklaratë për televizionin Alsat, Bexheti ka mohuar kategorikisht përfshirjen në ndonjë aferë dhe ka theksuar se bëhet fjalë për një fushatë të organizuar me qëllim dëmtimi politik dhe moral të figurave shqiptare.

“Unë bëj pjesë në grupin e atyre njerëzve ndaj të cilëve si pushteti i LSDM-së, ashtu edhe ai i VMRO-së dhe disa brenda Bashkimit Demokratik kanë përdorur përgjime kundër meje. Kanë publikuar biseda të zhvilluara para 15 vitesh, që as njeriu nuk mund t’i mbajë mënd. Dua të jem shumë i hapur me opinionin publik”, tha Bexheti, njofton TS.

Sipas tij, përgjimet janë pjesë e një konstruksioni politik për të sulmuar personalitetet publike shqiptare, ndërsa një pjesë e politikanëve, sipas tij, kanë qenë “të privilegjuar” që nuk janë përfshirë kurrë në përgjime.

“Kjo është pjesë e sulmeve ndaj figurave shqiptare. Ka edhe të privilegjuar që nuk janë përfshirë në përgjime le t’i gjykojë opinioni pse”, u shpreh Bexheti, duke shtuar se kjo tendencë synon të devijojë vëmendjen nga çështjet reale në Kërçovë dhe Bërvenicë.

Deputeti theksoi se ndjen paqen shpirtërore me veten dhe se qytetarët e njohin mirë karakterin dhe qëndrimet e tij.

“Unë kam një paqe shpirtërore me veten, sepse e njoh mirë veten dhe besoj se njerëzit më njohin gjithashtu,” – përfundoi Bexheti.