„Unë nuk kam plan B apo plan rezervë përveç Çairit,“ deklaroi kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani. Ai drejtoi një sfidë të ashpër ndaj kundërshtarit të tij, Izet Mexhiti nga VLEN. Osmani e ftoi Mexhitin që, në mënyrë ligjore ose me deklaratë te noteri, të obligohet se nuk do ta braktisë pozitën e kryetarit të komunës nëse e fiton, në këmbim të ndonjë funksioni tjetër.
Osmani hodhi poshtë si të pavërteta pretendimet se garën për Çairin po e shfrytëzon vetëm për të marrë përsëri një post qeveritar.
„Unë do të nënshkruaj se nuk do ta braktis zyrën apo pozitën e kryetarit të Komunës së Çairit derisa të vendosin qytetarët dhe marr obligim para njerëzve. Ja, unë jam i gatshëm ligjërisht të nënshkruaj se, pavarësisht çfarë oferte do të kem, qoftë vendore apo ndërkombëtare, sepse kam edhe oferta për pozita ndërkombëtare, nuk do ta braktis pozitën e kryetarit të Komunës së Çairit. Sepse kjo për mua është një mision dhe kam hyrë me gjithë qenien time, me diturinë time, me përvojën time, në këtë proces,“ deklaroi Osmani.
Ai theksoi se dallimi më i madh mes tij dhe kundërshtarit të tij është qasja e sinqertë ndaj Çairit dhe moskryerja e planeve rezervë për banim apo për funksion.
„Ndryshe nga kundërshtari im politik, për të cilin Çairi është një plan rezervë. Nuk largohet nga qeveria me idenë: nëse fitoj mirë, nëse nuk fitoj kthehem në qeveri. Merr një adresë fiktive në Çair: nëse fitoj mirë, nëse jo, kthehem aty ku banoj, në një komunë tjetër,“ tha Osmani.
Osmani nënvizoi se aty janë rritur ai dhe fëmijët e tij dhe se i gjithë kapitali i tij profesional dhe politik është investuar në Çair.