Bajram Rexhepi viziton “Tetova Open 2025”: Pas katër vitesh neglizhencë, sporti në Tetovë do të ringrihet

Sot, kandidati i AKI-së për komunën e Tetovës Bajram Rexhepi së bashku me bartësin e listës për këshilltarë Asaf Abdurahmanun vizituan turneun ndërkombëtar të karatesë “Tetova Open 2025”, të organizuar nga klubi i karatesë FATI – Tetovë. Rexhepi theksoi se energjia, pasioni dhe disiplina e sportistëve të rinj janë frymëzim për të gjithë.

Ai shtoi se gjatë katër viteve të fundit, sporti në qytet është lënë pas dore: stadiume të rrënuara dhe të papërfunduara, qendra sportive jo funksionale dhe mungesë hapësirash për sport dhe rekreacion për të rinjtë.

Në programin e tij, sporti ka vend të veçantë, duke përfshirë ndërtimin e qendrave të reja sportive, terreneve të hapura në çdo lagje, klube sportive në shkolla dhe mbështetje për talentet e rinj që e përfaqësojnë Tetovën.

“Një rini aktive është rini e shëndoshë!”, përfundoi Rexhepi.