Dalin mashtrimet e asfaltit të Bilall Kasamit – Qytetari: Në foto 20 cm, në realitet vetëm 5 cm!

Pas asfaltimit të disa rrugëve në qytetin e Tetovës, kanë nisur reagimet nga qytetarët dhe përfaqësues të opozitës lidhur me cilësinë dhe mënyrën e realizimit të këtyre punimeve. Sipas kritikave, asfaltimi po bëhet pa ndonjë kriter teknik, pa kanalizime atmosferike dhe fekale, gjë që, sipas tyre, përbën një rrezik për infrastrukturën dhe mirëqenien e qytetarëve.

Në të njëjtën kohë, disa media anonime  që perceptohen si të afërta me kryetarin e Komunës, Bilall Kasami, kanë publikuar lajme promovuese për punimet, duke theksuar trashësinë e asfaltit si sukses. Një nga këto portalet “Alb Vizion”, i cili përflitet se menaxhohet  nga Albi Qamili  njëherazi edhe bartës i listës për Këshilltarë në Komunën e Tetovës  nga VLEN,  ka publikuar një fotografi me pretendimin se “asfalti i shtruar nga Bilall Kasami është 20 cm i trashë”.

Por qytetarët në terren hedhin poshtë këto pretendime, duke thënë se në realitet trashësia e asfaltit nuk i kalon 3 deri në 5 centimetra. “Këto janë mashtrime mediatike për të mbuluar realitetin. Punimet janë sipërfaqësore dhe jo sipas standardeve,” thonë banorët e zonës.

Ndërkohë, kanë dalë edhe akuza të tjera për keqpërdorim të fondeve publike. Sipas burimeve lokale, Albi Qamili dyshohet se po keqpërdor pozitën e tij për përfitime personale, përfshirë pagesa të dyshimta për shërbime në restorantin “Primavera”, që thuhet se është në pronësi të vëllait të tij.

Sipas të dhënave nga platforma Open Finance, vetëm në disa muajt e fundit, restoranti “Primavera Kafe Restorant” ka përfituar mbi 416 mijë denarë, nga komuna fonde që janë përdorur për dreka dhe darka zyrtare.

Përfitimet e restorantit që lidhet me Albi Qamilin vënë në pikëpyetje integritetin e administratës së Bilall Kasamit dhe ngrejnë shqetësime të mëdha për mënyrën se si menaxhohen fondet publike në Tetovë.

Ende nuk dihet me çfarë arsyetimi apo dokumentacioni janë lëshuar këto pagesa, apo nëse bëhet fjalë për një abuzim të qëllimshëm për interesa personale dhe politike.

Në rrjetet sociale kanë shpërthyer menjëherë paknaqësitë për Albi Qamilin dhe Bilall Kasamin se dyshja a do ta rrjepin komunën e Tetovës edhe katër vitet e ardhëshme.