Deputeti Rijad Shaqiri: Vendosja e flamurit serb në Mateç, provokim i rëndë dhe përdhosje e kujtesës historike të shqiptarëve
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët pjesë e koalicionit Beslidhja-Aleanca Kombëtare për Integrim, Rijad Shaqiri, ka reaguar ashpër pas vendosjes së flamujve serbë në Mateç, duke e cilësuar këtë si një akt të rëndë provokues dhe një përdhosje të kujtesës historike të shqiptarëve.
Shaqiri thekson se një provokim i hapur nga ana e zëvendëskryeministrit Ivan Stoiloviq, i cili me flamurin e Serbisë dhe me mbishkrime me përmbajtje provokuese tentoi ta sfidojë dhe ta provokojë Komunën e Likovës.
Deputeti Shaqiri më tej thekson se banorët e Likovës kanë treguar gjithmonë qartësisht se nuk frikësohen nga askush dhe nuk lejojnë që provokime të tilla të cenojnë dinjitetin, vlerat dhe qetësinë e tyre. Ne jemi të bashkuar dhe të vendosur të mos biem pre e asnjë provokimi.
Reagimi i plotë i Shaqirit:
“Të nderuar qytetarë dhe banorë të Komunës së Likovës,
Sot jeni dëshmitarë të një provokimi të hapur nga ana e zëvendëskryeministrit Ivan Stoiloviq, i cili me flamurin e Serbisë dhe me mbishkrime me përmbajtje provokuese tentoi ta sfidojë dhe ta provokojë Komunën e Likovës.
Ditëve të fundit po shohim se, nga paaftësia për të parandaluar proceset dhe tendencat pro-serbe, individë dhe struktura të caktuara politike shpifin e përgojojnë kundër të tjerëve. Por duhet ta dinë të gjithë se tradhti e vërtetë është të provokosh në Komunën e Likovës me aventura të tilla të pseudo-patriotëve që shërbejnë interesave të këtyre strukturave politike.
Tradhti është të sjellësh Stoiloviqin në Mateç, në një manastir që për 23 vjet nuk ka qenë objekt vizitash nga askush, e ta përdorësh këtë për qëllime politike dhe provokuese.
Banorët e Likovës kanë treguar gjithmonë qartësisht se nuk frikësohen nga askush dhe nuk lejojnë që provokime të tilla të cenojnë dinjitetin, vlerat dhe qetësinë e tyre. Ne jemi të bashkuar dhe të vendosur të mos biem pre e asnjë provokimi”, ka përfunduar Shaqiri.