Aliu në Kongresin e 10-të të Shoqatës së Stomatologëve të Maqedonisë: Së bashku do të ndërtojmë një stomatologji moderne, shembull i integritetit në shoqëri

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, mbrëmë mbajti fjalim në hapjen e Kongresit të 10-të të Shoqatës së Stomatologëve të Maqedonisë, me temë: “E ardhmja e përsosmërisë në stomatologji: arti i shkencës, dijes dhe aftësive”.
“Unë nuk jam mjek – jam inxhinier, dhe pikërisht kjo më mësoi ta shoh shëndetësinë si një sistem kompleks: me elemente që duhet të funksionojnë të lidhura ngushtë, me transparencë, rregull dhe besim. Një sistem ku nuk ka vend për improvizime dhe ku nuk pranohen kompromiset në dëm të pacientit. Në botë, stomatologjia po ecën me një ritëm të jashtëzakonshëm: inteligjenca artificiale, robotika, digjitalizimi dhe telemjekësia po ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si i ofrohet shërbimi pacientit. E ardhmja është tashmë këtu – dhe ne kemi detyrë ta bëjmë pjesë të saj.”,- tha ministri Aliu.
Në fjalimin e tij ai theksoi se që të jemi pjesë e asaj të ardhmeje, duhet të ndërtojmë themelet mbi profesionalizmin, integritetin dhe përgjegjshmërinë. Kongresi është dëshmi se stomatologët tanë kanë vullnet dhe kapacitet për të vendosur standarde të reja, për të fituar dhe ruajtur besimin e qytetarëve, dhe për të qenë pjesë aktive e transformimit shëndetësor që po ndodh në vend.
“Si ministër i Shëndetësisë dua të theksoj se rruga jonë është e qartë – nuk do të ketë kompromis kur bëhet fjalë për cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe besimin e qytetarëve. Do ta mbështesim stomatologjinë me politika që do të nxisin arsimin, inovacionin dhe transparencën. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një sistem të fortë dhe të drejtë për të gjithë.”,- përfundoi ministri Aliu.