LSDM: Qeveria e Mickoskit është më përgjegjëse për katastrofën ekologjike që po ndodh me zjarre

Maqedonia ka një pushtet të paaftë që tregon përralla, ndërsa digjen deponi dhe fabrika, e qytetarët e paguajnë çmimin me shëndetin e tyre. Mbi 500 mijë banorë të Shkupit dhe rrethinës po mbyten në tym helmues nga zjarret në Trubarevë, Drisllë dhe Vardarishtë, ndërsa pushteti fshihet pas historive të trilluara për “sulme hibride”. Derisa qytetarët thithin materie kancerogjene, institucionet reaguan me vonesë, madje nuk dolën as në kohë për të informuar qytetarët, për të dhënë rekomandime ose për t’u thënë si të mbrohen, thonë nga LSDM.

“Shkupjanët ende nuk e dinë sa është ndotja, nëse është plotësisht e sigurt, sa sasi mbetjesh toksike janë djegur, cila ishte përqendrimi i materieve helmuese, korozive dhe të rrezikshme për shëndetin e njerëzve? Qeveria e Mickoskit është më përgjegjësja për katastrofën ekologjike që po ndodh me zjarret, përfshirë edhe në deponitë që menaxhohen pikërisht nga VMRO-DPMNE.

Mjaft me përralla, për këtë ekocid, për këtë katastrofë ekologjike në Shkup dhe Maqedoni duhet të ketë përgjegjësi politike dhe penale. Përveç për Trubarevën, Prokuroria Publike duhet ta zgjerojë hetimin edhe për zjarret në Vardarishtë dhe Drisllë, hetim që do t’i përfshijë të gjitha strukturat aktuale udhëheqëse në kohën e zjarreve, të cilat lejuan të ndodhë një katastrofë ekologjike me pasoja të rrezikshme shëndetësore”, thonë nga partia.