Drejtori i ZNAM-it dhe zv/drejtori i VLEN-it firmosin marrëveshje me Fondin Pensional nga Republika Srpska (FOTO)

Fondi Pensional dhe Sigurimit Invalidor i Maqedonisë së Veriut ka nënshkruar Marrëveshje për shkëmbim elektronik të të dhënave me Fondin e Republika Srpska. Marrëveshjen e nënshkruan drejtori i Fondit, Nikola Memov dhe drejtori i Fondit të Pensioneve dhe Sigurimit Invalidor të Republikës Srpska, Mlladen Miliq, ndërsa u tha se me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje përmbyllet rregullimi i shkëmbimit të të dhënave nga kjo fushë me shtetet e ish-Jugosllavisë dhe paraqet një hap përpara në bashkëpunimin që është padyshim në interes të përdoruesve të shërbimeve të Fondit.

Drejtori i FPSI, kuadër i ZNAM-it, Nikolla Memov ka theksuar se bashkëpunimi me Fondin e Republikës Srpska në periudhën e ardhshme duhet të zgjerohet edhe me shkëmbimin e të dhënave të tjera me interes për të dy Fondet, gjë që sipas tij, do ta lehtësojë dhe përshpejtojë procesin e realizimit të të drejtave në këtë fushë.

Nga ana tjetër, drejtori i Fondit të PIO të Republikës Srpska, Miliq, theksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes është përmbyllja e një procesi që duhet të kontribuojë në saktësinë e të dhënave që përdoren dhe shkëmbehen. Kjo, siç u shpreh Miliq, do të mundësojë të shmangen gabimet e mundshme dhe të rritet cilësia e shërbimeve për të siguruarit nga të dy vendet.

Marrëveshja parasheh shkëmbim të të dhënave të nevojshme për pagesën e rregullt të pensionit, për të parandaluar pagesat e paarsyeshme për shkak të vdekjes së përfituesit të pensionit ndërmjet Fondit të PIOSM dhe Fondit të PIO të Republikës Srpska. Me të, sipas asaj që shkruan në Marrëveshje, rregullohen qëllimi, mënyra e shkëmbimit, përmbajtja dhe lloji i të dhënave që shkëmbehen dhe menaxhimi me to, si dhe mbrojtja e tyre.

Kjo marrëveshje megjithatë ka shkaktuar reagime te punonjësit shqiptarë dhe te ish drejtorët shqiptarë te Fondit. Është Shaip Zeneli, ish-drejtor i Fondit në kohën e BDI-së, ai që këtë marrëveshje e ka lidh me bashkëpunimin e ngushtë me “Botën Serbe”

“Kur themi se pjesë e ‘Srpski svetit’, jeni ju nuk besoni dhe mundoheni atë ta fshehmi. Për çdo ditë demantoheni vet. Sot, dëshmi e keni se Fondi Pensional i RMV lidh marrëveshje me Republika Srpskën për shkëmbim të të dhënave. Vite me rradhë Republika Srpska e ka kërku që ta bëjë këtë dhe asnjëherë nuk është pranuar nga ana e Fondit Pensional derisa me të kanë udhëhequr përfaqësues shqiptarë të BDI-së”, shkruan Zeneli në profilin e tij në Facebook.

Duhet patur parasysh se Maqedonia e Veriut ka marrëveshje të plotë sociale dhe marrëveshje për shkëmbim të të dhënave me Bosnjën dhe Hercegovinën, pjesë federale e të cilës është edhe Republika Srpska, thotë më tej Zeneli.

“Edhe deri tani ky fond ka marrë të dhëna nga Fondi i Bosnjës. Mos vallë hapi tjetër do të jetë edhe njohje të Republika Srpskës si republikë në vehte. Të jetë edhe më tragjike në tavolin mungon flamuri i Bosnjës ndërsa përfaqësuesi i sVlenit, zv drejtori, aty është vetëm protagonist i heshtur”, shkruan Zeneli. (Koha.mk)