Ofendimi i rëndë që iu bë dje koalicionit VLEN, konkretisht shefit të Shtabit Zgjedhor, Adnan Azizi, nga kryeministri Hristijan Mickoski, ende nuk ka marrë përgjigje nga ky koalicion.
Deklarata e Mickoskit, ku tha se “personi që përmendet nuk ka fuqi politike për të vendosur për proceset aktuale në vend”, është konsideruar si një sulm i drejtpërdrejtë dhe ka tensionuar më tej marrëdhëniet mes VMRO-së dhe VLEN-it.
Pavarësisht kësaj deklarate të ashpër, nuk ka pasur asnjë reagim nga Adnan Azizi, por as nga ndonjë lider tjetër i VLEN-it. Kjo heshtje bie ndesh me retorikën patriotike që ata përdorin në tubimet e tyre, ku shfaqin simbolin e shqiponjës dykrenare, por përballë Mickoskit duken si “lepuj të lagur”.
Sipas portalit TS, tensionet mes VMRO-së dhe VLEN-it po përkeqësohen edhe për shkak të qëndrimeve kontradiktore të vetë përfaqësuesve të VLEN-it. Nga njëra anë, Adnan Azizi kritikon projektet “sllave” në Tetovë dhe shfaqet me shqiponjën dykrenare, ndërsa nga ana tjetër, Bilall Kasami kërkon votat maqedonase nga VMRO-ja në Tetovë.
Ndërkohë, kryeministri Mickoski, përmes portalit TS, ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, i cili nga mediat maqedonase është cilësuar si një sinjal i afrimit të qëndrimeve mes VMRO-së dhe BDI-së para zgjedhjeve lokale.
Ndryshe, në anketat e IRI-it, agjencive të tjera si Rejting, si dhe në sondazhet që qarkullojnë në zyrat e VMRO-së, thuhet se Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) pritet të marrë mbi 150 mijë vota, ndërsa VLEN vetëm 50 deri në 55 mijë. Një rezultat 3 me 1 që, sipas analistëve, mund të tronditë rëndë pozitat e VLEN-it pas 18 tetorit dhe të shpërbëhet komplet koalicioni siç ka deklaruar Arben Taravari./TS/