Osmani para anëtarëve të BDI-së në Çair: Krijuam më shumë se një fushatë, kjo është lëvizje e rezistencës dhe shpresës

Në një fjalim emocional dhe mobilizues para më shumë se 600 anëtarëve dhe mbështetësve në Çair, kandidati për kryetar komune, Bujar Osmani, tha se gara zgjedhore po merr një domethënie shumë më të gjerë sesa një fushatë e zakonshme politike.
“Këtu po krijohet një lëvizje popullore-shoqërore e rezistencës dhe e shpresës”, theksoi Osmani, duke iu drejtuar sallës së mbushur në Çair. Sipas tij, kjo lëvizje është përgjigjja ndaj përjashtimit, diskriminimit dhe arrogancës politike që zgjat më shumë se dy dekada.
“Njerëzit nuk kërkojnë zëvendësimin e një funksionari me një tjetër. Njerëzit duan të ndryshohet kultura e qeverisjes, të marrë fund uzurpimi, korrupsioni, dembelizmi”, tha Osmani.

Ai e theksoi integritetin si vlerën e tij më të madhe politike.
“Nëse kam kapital politik, ai është integriteti. As si kirurg, as si politikan, nuk kam lejuar askënd të drejtojë gishtin drejt meje. Ky është pasuria ime më e madhe që po jua ofroj”.

Në fund, Osmani bëri thirrje për një mobilizim edhe më të fuqishëm:
“Mos ndaloni. Trokitja në dyer, bisedat, mbështetja, e gjithë kjo është pjesë e kauzës sonë të përbashkët. Drejtësia është në anën tonë”, përfundoi Osmani.