Një numër i madh i palestinezëve po vazhdojnë të ikin nga Qyteti Gaza, pasi ushtria izraelite i nisi fazat e para të një ofensive të planifikuar tokësore, thonë zyrtarët në këtë vendbanim.
Trupat izraelite kanë siguruar prani në periferi të qytetit – ku banojnë rreth një milion palestinezë – pas disa ditëve me bombardime intensive dhe zjarr artilerie, raporton televizioni BBC.
Kjo gjë e ka nxitur sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, që t’i përsërisë thirrjet për armëpushim të menjëhershëm “që të shmangen vdekja dhe shkatërrimi”, të cilat “do të shkaktoheshin në mënyrë të pashmangshme” nga ofensiva.
Një zëdhënës ushtarak tha se trupat tashmë ishin duke operuar në zonat Zeitoun dhe Jabalia për ta vënë themelin e ofensivës, e cila të martën u miratua nga ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ndërsa do t’i paraqitet kabinetit të sigurisë më vonë këtë javë.
Rreth 60 mijë rezervistë do të thirren në detyrë nga fillimi i shtatorit për të liruar personel në detyrë aktive për këtë operacion.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se ai “do t’i shkurtojë afatet” për t’i kapur ato që i përshkroi si “bastionet e fundit të terrorit” në Gaza.
Në një deklaratë, Hamasi e akuzoi udhëheqësin izraelit për vazhdimin e një “lufte brutale kundër civilëve të pafajshëm në Qytetin Gaza” dhe e kritikoi atë që e quajti “shpërfillje” nga ana e kryeministrit ndaj një propozimi të ri për armëpushim nga ndërmjetësit rajonalë. Izraeli ende nuk i është përgjigjur formalisht planit.
Qindra mijëra palestinezë në Qytetin Gaza pritet të urdhërohen që të evakuohen dhe t’u drejtohen strehimoreve në jug të enklavës, përderisa zhvillohen përgatitjet për planin izraelit që qyteti të merret nën kontroll.
Shumë prej aleatëve të Izraelit e kanë dënuar planin e tij. Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi të mërkurën se kjo ofensivë “vetëm mund të çojë në katastrofë për të dy popujt dhe rrezikon që ta zhytë tërë rajonin në një cikël të luftës së përhershme”./Nacionale