Izraeli intensifikon sulmet në Gaza, Netanyahu: Misioni im historik dhe shpirtëror

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se ndihet i përkushtuar ndaj një misioni historik dhe shpirtëror dhe është shumë i lidhur me vizionin e Izraelit të Madh, i cili përfshin territore të përcaktuara për një shtet të ardhshëm palestinez dhezona që aktualisht i përkasin Jordanisë dhe Egjiptit. A2 CNN shkruan se termi “Izraeli i Madh” u përdor pas Luftës gjashtë ditore të qershorit të vitit 1967 për t’iu referuar Izraelit dhe territoreve të sapopushtuara; Jerusalemit Lindor, Bregut Perëndimor, Rripit të Gazës, Gadishullit të Sinait dhe Lartësive të Golanit. Termi u miratua më vonë për t’iu referuar Izraelit të sotëm, Gazës, Bregut Perëndimor dhe Jordanisë së sotme.

Ndërkohë kryeministri Netanyahu ka deklaruar se Izraeli do t’u lejojë palestinezëve të largohen nga Rripi i Gazës, ndërsa ushtria përgatit një ofensivë më të gjerë në territor. Sipas mediave izraelite ai u bëri thirrje posaçërisht “vendeve që duan të ndihmojnë palestinezët” t’u “hapin dyert e tyre”. Netanyahu deklaroi se banorëve duhet t’u lejohet të largohen nga Rripi i Gazës “nëse dëshirojnë, siç ka ndodhur gjatë luftërave të tjera, si në Siri, Ukrainë dhe Afganistan”.

Sipas disa raporteve të mediave, Izraeli po diskuton me Sudanin e Jugut mundësinë e zhvendosjes së palestinezëve nga Rripi i Gazës në vendin afrikan të shkatërruar nga lufta.

Ndërkaq forcat izraelite vranë të paktën 73 palestinezë në sulmet në të gjithë Gazën të martën, ndërsa dy palestinezë të tjerë, një djalë gjashtëvjeçar dhe një burrë 30-vjeçar, vdiqën nga uria, thotë Ministria e Shëndetësisë e Gazës, raporton A2 CNN.

Protestat kanë vazhduar në të gjithë botën kundër vrasjes së synuar nga Izraeli të katër gazetarëve të Al Jazeera-s dhe dy punonjësve të pavarur në Gaza.

Një delegacion i Hamasit ka mbërritur në Egjipt për bisedime të mëtejshme mbi sigurimin e një marrëveshjeje armëpushimi, edhe pse Izraeli vazhdon me planin e tij për të pushtuar Qytetin e Gazës, për të zhvendosur me forcë gati 1 milion palestinezë dhe për t’i shtyrë ata drejt zonave të përqendrimit më në jug.