Australia do ta njohë shtetin palestinez

Australia planifikon që shumë shpejt të njohë shtetin palestinez, pasi Franca, Britania e Madhe dhe Kanadaja tashmë kanë shpallur synimin e tyre për ta bërë këtë.
Kryeministri Anthony Albanese mund të nënshkruajë aktin e njohjes brenda disa ditësh nga mbledhja e rregullt e sotme e kabinetit, ka raportuar “Sydney Morning Herald”, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara.

Zyra e kryeministrit Albanese nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Franca dhe Kanadaja muajin e kaluar njoftuan se planifikojnë të njohin shtetin palestinez, ndërsa Britania e Madhe deklaroi se do ta bëjë të njëjtën gjë nëse Izraeli nuk e zgjidh krizën humanitare në territoret palestineze dhe nuk arrin një armëpushim.

Izraeli i ka dënuar vendimet e vendeve që mbështesin shtetin palestinez, duke thënë se ky veprim do të shpërblente Hamasin, i cili sundon në Gaza.