Adnan Azizi: Ali Ahmeti ka “kënduar si bilbil” në Gjykatë për ushtarët dhe komandantët e UÇK-së

Adnan Azizi

Një zë që dridhej, sepse mashtronte. Një zë që mezi çjerrej, nga frika se mos i zbulohet pabesia. Zëri që, kur e dëgjojnë shqiptarët, ua kujton dëshpërimin, mashtrimin, pabesinë.

Ky ishte zëri i Ali Ahmetit dje në Prishtinë, ku doli në protestë për të kërkuar lirinë e ushtarëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale. Por harroi se vetë ka dëshmuar, ose siç thotë populli, ka “kënduar si bilbil” në atë gjykatë, pikërisht për ushtarët dhe komandantët e UÇK-së.
E që dyshimet se ka “kënduar bukur mirë, bash si bilbil” i bëjnë edhe më të besueshme, është fakti që për kaq vite asnjëherë nuk doli para shqiptarëve të tregojë çka ka dëshmuar, çka ka folur për, siç thotë ai, “vëllezërit e tij”. Siç po flitet hapur nga bashkëpartiakët e tij, pikërisht pas dëshmive në Hagë, Ali Ahmeti u bë peng i Artan Grubit, të cilin gjatë dëshmisë e kishte përkthyes.

Duke dashur t’i fshehë broçkullat e tij të mashtrimit, tentoi t’u hidhte hi syve shqiptarëve me pretekstin se rajoni po kalon në destabilitet. Kur? Tani që BDI-ja e tij nuk është më në pushtet? Tani që shqiptarët nuk po vidhen dhe nuk ka pasur as edhe një incident të vogël ndëretnik?

Po ta kthejmë filmin prapa, Ali Ahmeti, rajoni ka qenë jostabil atëherë kur ti, bashkë me Daçiqin, Vuçiqin e Bërnabiqin, shërbyesit e Millosheviqit, si dhe me Mijallkovin, mosrealizimin e projekteve, dëbimin e shqiptarëve nga vendlindja dhe krimin tuaj e mbulonit duke organizuar rrahjen e shqiptarëve në qendër të Shkupit e nëpër autobusë, me rastin “Monstra”, me prangosjen e nënave shqiptare duke ua vendosur epitetin “terroriste”, e deri te futja në kurth e djemve më të mirë të shqiptarisë dhe të UÇK-së në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
Pikërisht atëherë rajoni ka qenë jostabil, kur ju thonin se “ju kapim për veshi, e ju nxjerrim me votu”.

Ali, shqiptarët kurrë nuk kanë qenë destabilizues. Destabilizues ke qenë ti, bashkë me miqtë e tu të botës serbe, Mijallkovin, Daçiqin e Vuçiqin, kur shqiptarët natën i burgosnit e i vrisnit, e ditën i qajshit e i vidhnit.

Po, faktori kryesor që garanton stabilitetin e vendit dhe rajonit është NATO dhe SHBA-ja si shtylla kryesore brenda saj. Prandaj sot, gjysma e partisë tënde ndodhen në Listën e Zezë të Amerikës.

Sa turp, kur mundohesh të mashtrosh në sy gjithë atë popull. Bëhesh sikur e kritikon Gjykatën Speciale, por harrove që pikërisht ti ishe ai që e mbështetje krijimin e saj dhe votimin në Kuvendin e Kosovës. Atëherë kur Albin Kurti me miqtë e tij ishte i gatshëm të sakrifikojë gjithçka për të treguar se kjo gjykatë është kundër UÇK-së. Por ju, me sytë e mbuluar nga luksi dhe tenderët, i shpallët luftë Albinit, i vendosnit epitete, e quajtët tradhtar, ndërsa vetë vrapove të dëshmosh. Vetëm Zoti e di çka ke thënë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e të tjerët.

Mirë që dole dje në Prishtinë, por ku ke qenë gjithë këto vite, kur ushtarët e UÇK-së janë vrarë, janë burgosur, janë përbuzur? Ku ka qenë zëri yt për statusin e tyre, për dinjitetin e tyre? Aty ke pasur pushtet, më shumë se kushdo, por ke heshtur. Ke heshtur kur UÇK-në e përbaltën, dhe ushtarët u lanë në mëshirë të fatit. E tani, kur nuk ke më pushtet, bëhesh “zëri i luftëtarëve”?

Dhe më nënçmues ndaj inteligjencës së shqiptarit bëhesh kur thua se “shqiptarët nuk lejojnë që historinë t’ua shkruajnë të tjerët”. Është e vërtetë, kurrë shqiptarët nuk do të lejojnë që historinë t’ua shkruajnë të tjerët, por as TI nuk do të lejohesh më ta shkruash. Sepse edhe atëherë kur pate mundësinë për të shkruar një histori të drejtë për shqiptarët, çfarë bëtë ti dhe partia jote? Për 20 vite i zhvatët, i varfëruat dhe i degraduat shqiptarët. E për t’ia bërë qejfin Gruevskit dhe Mijallkovit, në Enciklopedi shqiptarët i bëtë “njerëz mali, kaçaka”, e çka mos tjetër.

Keq, shumë keq. Sepse koha po kalon. Dhe sa më shumë që kalon, aq më shumë i vjen radha të vërtetës, asaj që do të nxjerrë në shesh kush ka qenë luftëtar e kush gënjeshtar.