Bilall Kasami “uzurpon” një parking të huaj, shet ato publike. E pranoi edhe vetë! (DOKUMENT- VIDEO)
Pasi shiti parkingjet publike vetëm për 190 mijë euro për 3,000 m², sot Kasami ka “uzurpuar” parkingun pranë Gjykatës Themelore të Tetovës.
Sipas fletës së pronësisë që ka siguruar portali TS, rezulton se parkingu pranë Gjykatës së Tetovës nuk është pronë komunale, por pronë e Ndërmarrjes Publike për Menaxhimin e Objekteve Sportive.
I pyetur nga portali TS se pse nga njëra anë shet parkingje publike, ndërsa nga ana tjetër uzurpon parkingje që nuk janë në pronësi të komunës, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, deklaroi se parkingu pranë Gjykatës është në pronësi të Ministrisë së Transportit, dhe se ndërmarrja në fjalë është në procedurë falimentimi, por nuk është pronë e Komunës së Tetovës.
“Të gjitha pronat në komunë janë në kuadër të planit urbanistik dhe janë në menaxhim të Komunës së Tetovës. Jemi në komunikim me Ministrinë e Sportit dhe do të vazhdojmë procedurat që ky parking të përfshihet në planin urbanistik, dhe të planifikohet si parking me kate”, u shpreh Kasami.
Ai shtoi gjithashtu se, sipas tij, nuk ekziston më një agjenci e tillë si Ndërmarrja Publike për Menaxhimin e Objekteve Sportive, duke theksuar se ajo është në falimentim dhe se prona është nën kompetencë të Ministrisë së Sportit.
Por, këtu Kasami bie në kundërshtim me vetveten. Fleta e pronësisë e siguruar nga portali TS tregon qartë se prona është në emër të Ndërmarrjes Publike për Menaxhimin e Objekteve Sportive, dhe se kjo ndërmarrje figuron si AKTIVE në Regjistrin Qendror.
Portali TS publikon edhe dy dokumentet përkatëse: fletën e pronësisë (“Imoten List”) dhe dëshminë se Ndërmarrja nuk është e shuar, por AKTIVE./TS/