Skemë fajdesh në Gostivar – Kallëzim penal për tre persona, përfshirë edhe një noter

SPB Tetovë ka ngritur kallëzim penal kundër T.V. (39) nga fshati Negotinë, rrethina e Gostivarit, për shkak të dyshimeve për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë:

“Fajde”,

“Përdorimi i dokumentit me përmbajtje të pavërtetë”,

“Falsifikimi i dokumentit”,

dhe “Keqpërdorimi i të dhënave personale”.

Po ashtu, kallëzim penal është ngritur edhe kundër J.D. (48) nga fshati Dobri Dol dhe një personi juridik – noter nga Gostivari, për vepra penale si:

“Punë e papërgjegjshme në detyrë”,

“Falsifikimi i dokumentit”,

dhe “Keqpërdorimi i të dhënave personale”.

Sipas hetimeve, që nga viti 2022 e deri në momentin e denoncimit, T.V. ka përfituar nga gjendja e rëndë financiare e një banori nga Gostivari, të cilit i ka dhënë para hua me kamatë të pamëshirshme. Për një shumë prej 35.000 euro, ai kishte kërkuar 15.000 euro si kamatë brenda një viti. Më pas, kamatën e kishte ngritur në 3.000 euro në muaj, duke e vënë borxhliun në pozitë të pamundur.

Në pamundësi për të kthyer borxhin, i dëmtuari është kërcënuar dhe detyruar të nënshkruajë një marrëveshje shitblerjeje të pasurisë, e noterizuar, si formë për të mbuluar fajden. Më 27 shtator 2023, në periudhën kur i dëmtuari ndodhej jashtë vendit, është përpiluar edhe një marrëveshje fiktive për shitjen e një mjeti motorik, e vërtetuar nga një noter.

Sipas kallëzimit, personi i dytë i denoncuar, si përfaqësues i zyrës së noterit, ka përpunuar dhe përdorur të dhënat personale të të dëmtuarit pa praninë dhe pa pëlqimin e tij, dhe ka legalizuar dokumentin e rremë të shitjes, ku figuronte një shumë simbolike prej 1.000 euro, me pretendimin se automjeti ishte shitur një personi tjetër nga Gostivari.

Policia thekson se po ndërmerren masa të mëtejshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe përgjegjësinë penale të të gjithë të përfshirëve.TS