Gashi: Dënoj ashpër gjuhën e urrejtjes që synon të përçajë njerëz për shkak të përkatësisë kombëtare

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka reaguar pas incidentit në Kumanovë, ku u dëgjuan brohoritje anti-shqiptare në ndeshjen Maqedoni-Rumani.

Gashi, shkruan se thirrjet ofenduese dhe shprehjet e urrejtjes që u dëgjuan atë mbrëmje nuk përfaqësojnë frymën e sportit, as shpirtin e qytetarëve tanë, dhe mbi të gjitha, nuk përfaqësojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti.

Ja dhe reagimi i plotë i kryetarit të Kuvendit:

Kur sporti, që duhet të jetë urë e bashkimit, shndërrohet në skenë të urrejtjes dhe përçarjes, të gjithë duhet të ndalemi një moment dhe të reflektojmë thellë për atë që po ndodh me shoqërinë tonë.

Me ndjenja të thella përgjegjësie dhe shqetësimi të madh, si Kryetar i Kuvendit, e kam ndjekur me vëmendje reagimin publik dhe institucionet përkatëse që tashmë janë vënë në lëvizje për të adresuar incidentin që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit në Kumanovë. I vetëdijshëm për ndjeshmërinë e momentit dhe për rëndësinë që çdo fjalë të jetë e matur dhe unifikuese dua t’u drejtohem sot të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pa dallim përkatësie etnike, gjuhësore apo politike: Thirrjet ofenduese dhe shprehjet e urrejtjes që u dëgjuan atë mbrëmje nuk përfaqësojnë frymën e sportit, as shpirtin e qytetarëve tanë, dhe mbi të gjitha, nuk përfaqësojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë. Një shoqëri që aspiron të jetë pjesë e familjes europiane duhet të ndërtojë themele mbi respekt, dinjitet dhe barazi për të gjithë qytetarët.

Dënoj ashpër çdo formë të gjuhës së urrejtjes, veçanërisht atë që synon të përçajë njerëz për shkak të përkatësisë së tyre etnike apo kombëtare. Republika e Maqedonisë së Veriut është një shoqëri shumetnike dhe shqiptarët jenë popull shtetformues.

I ftoj të gjitha institucionet, të gjitha partitë politike, të gjithë qytetarët, të qëndrojmë bashkë kundër urrejtjes. Të ngrihemi bashkë për një të ardhme më të drejtë, më të ndershme dhe më të bashkuar. Kjo duhet të jetë rruga jonë. Kjo është detyra jonë.