Brohoritjet anti-shqiptare në Kumanovë, ambasada e Kosovës: Dënojmë fuqishëm thirrjet, urojmë që autorët të ndëshkohen
Nga ambasada e Kosovës kanë reaguar pas thirrjeve anti-shqiptare në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, në mes Maqedonisë dhe Rumanisë. Ata kanë dënuar në mënyrë të fuqishme këto thirrje.
“Ambasada ka përcjellur me vëmendje zhvillimet që ndërlidhen me thirrjet raciste anti-shqiptare të tifozëve në një ndeshje basketbolli në Kumanovë. Duke pasur parasysh që thirrjet e tifo grupeve të tilla janë të shpeshta dhe rëndom mbretërojnë nëpër stadiume, ne dënojmë në termat më të fuqishëm këto thirrje.
Vlerësojmë reagimin e kreut institucional të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe qëndrimin e fuqishëm të faktorit politik shqiptar në Qeveri përkitazi me këtë çështje. Mjaft premtues është aktivizimi i prokurorisë dhe urojmë që autorët të i nënshtrohen pasojave juridike, duke krijuar kësisoji një trend të ndëshkueshmërisë për rastet e tilla”, thuhet në komunikatën e ambasadës së Kosovës.