Afrim Gashi mirëpret bashkatdhetarët nga mërgata: Nuk jeni të largët për ne, jeni pjesë e pandashme e jona

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi, ka mirëpritur sot me emocion të veçantë një delegacion të bashkatdhetarëve nga mërgata. Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, larg formalizmave, duke reflektuar lidhjen e thellë shpirtërore ndërmjet institucioneve dhe diasporës shqiptare.

Gjatë bisedës së hapur, u diskutuan sfidat që përballen shqiptarët jashtë vendit, lidhja e tyre e pazëvendësueshme me atdheun, si dhe mundësitë konkrete për forcimin e bashkëpunimit institucional.

“Ju jeni ambasadorët tanë të vërtetë. Kontributi që jepni për gjuhën, kulturën dhe ruajtjen e identitetit tonë është i jashtëzakonshëm. Dera e Kuvendit është gjithmonë e hapur për ju – për idetë, për vizionin dhe për energjinë që sillni,” deklaroi Kryetari Gashi.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohje të thellë për përkushtimin dhe angazhimin e mërgatës, duke theksuar se largësia fizike nuk e zbeh asnjëherë përkatësinë dhe përbashkësinë.

Ky takim vjen si pjesë e angazhimeve të Kryetarit Gashi për ndërtimin e një urë të fortë dhe të qëndrueshme mes institucioneve vendore dhe diasporës, në funksion të një vizioni gjithëpërfshirës për zhvillimin kombëtar dhe shoqëror.