Trump realizon ëndrrën/ Shtëpia e Bardhë do të ketë sallën më madhështore të ballove me 200 milionë dollarë
Projekti parashikon ndërtimin e një salle të re vallëzimi pranë Krahut Lindor të Shtëpisë së Bardhë, i cili do të modernizohet. Në këtë hapësirë ndodhen zyrat e Zonjës së Parë, Melania Trump, si dhe ambiente të tjera të rëndësishme të institucionit. Sipas Sekretares së Shtypit, Karoline Leavitt, ndërtimi do të financohet nga vetë Trump dhe disa donatorë anonimë, me nisje të punimeve në shtator.
Presidenti Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën për të ndërtuar një sallë balloje “të bukur” në Shtëpinë e Bardhë. Në vitin 2016, gjatë administratës Obama, ai kishte ofruar të kontribuonte me 100 milionë dollarë për një projekt të tillë, por iniciativa u refuzua nga presidenti i atëhershëm. Në një deklaratë të shkurtër për gazetarët të enjten, Leavitt e cilësoi sallën si një “shtesë të domosdoshme dhe të jashtëzakonshme” me sipërfaqe prej rreth 8,360 metrash katrorë, e cila do të akomodojë deri në 650 të ftuar.
Aktualisht, eventet zyrtare mbahen në Dhomën Lindore, e cila ka një kapacitet prej rreth 200 personash.
Leavitt theksoi gjithashtu se ndërtimi i sallës së re do të shmangë përdorimin e “tendave të mëdha dhe të pakëndshme” gjatë darkave shtetërore apo ngjarjeve madhore me pjesëmarrje të udhëheqësve botërorë. Ajo shtoi se përfundimi i punimeve pritet të ndodhë shumë përpara mbarimit të mandatit të Trump në janar 2029.
Sipas planeve të paraqitura nga Shtëpia e Bardhë, ambienti i ri do të jetë i stilit klasik, me elemente arkitekturore të ngjashme me pjesën tjetër të ndërtesës. Salla do të pajiset me mobilim luksoz, llambadarë dhe kolona dekorative.