Mickoski: Do të vazhdojmë me politikë të mbrojtjes së identitetit maqedonas, gjuhës dhe interesave të qytetarëve, në mbrojtje të Maqedonisë si shtet
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me atë se si do t’u përgjigjet akuzave që vijnë nga opozita, të cilat gjithnjë e më zëshëm po pretendojnë se ai ka hequr dorë nga identiteti dhe gjuha, deklaroi:
“Ndoshta kjo është vetëm në mikroorbitën e tyre si shërbëtorë të interesave të huaja dhe tradhtarë të nivelit më të lartë dhe kjo është treguar dhe dëshmuar edhe në të kaluarën. Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, e vetmja gjë që bënte, përveç asaj që di më së miri – të vjedhë. Ato ishin tradhti kombëtare dhe nënshkrimi i të gjitha atyre dokumenteve që u vendoseshin në tavolinë. Bëhet fjalë për njerëz të shpërlarë kombëtarisht, të cilët përveç karrierës dhe vjedhjes së popullit, e më pas shijimit të asaj që kanë vjedhur nga populli, nuk u mbetet gjë tjetër.”
Kjo Qeveri e VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni, tha Mickoski, po bën përpjekje të fortë për të rikthyer të paktën diçka nga ajo që e shitën LSDM dhe BDI kur ishin në pushtet.
“Ajo që po bën kjo Qeveri e VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni është pikërisht një përpjekje e fuqishme për të rikuperuar të paktën diçka nga ajo që ata e shitën. Dhe po nxjerrim në dritë gjithçka për të cilën deri më tani, nëse dikush ka pasur ndonjë dilemë, besoj se prej tani nuk do të ketë më. Ne vazhdojmë me vendosmëri të luftojmë për identitetin tonë, për atë që jemi dhe jo për atë që duan të na bëjnë, disa maqedonas modernë, që flasin një gjuhë maqedonase moderne. Kështu që, nuk ka gjë më të shenjtë se kjo: të luftosh për popullin tënd, për qytetarët e tu, për atdheun tënd dhe të rikuperosh atë që ata kuislingë të mëparshëm, për fat të keq, e shitën për të shijuar tapetet e trashë të kuq dhe kolltuqet prej lëkure, duke u pasuruar mbi kurrizin e qytetarëve. Por ata le të vazhdojnë me atë politikë, ndërsa ne do të vazhdojmë me politikën e mbrojtjes së identitetit maqedonas dhe interesave të qytetarëve dhe Maqedonisë si shtet”, theksoi kryeministri.