Miteva: Qeveria formon Komitetin Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve, deri më 15 dhjetor 2026 do të hartohet Plan Veprimi

Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar gazetarë,
Të nderuar qytetarë,

E drejta që çdo pushtet ka obligim ta respektojë dhe ta mbrojë është liria e shprehjes dhe mbrojtja e profesionit të gazetarisë. Ky është parim nga i cili duhet të niset çdo institucion demokratik.

Pikërisht për këtë arsye, dëshiroj t’ju informoj se Qeveria, në seancën e sotme, miratoi vendim për formimin e Komitetit Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve.

Bëhet fjalë për një vendim të rëndësishëm institucional, me të cilin vendoset mekanizëm i organizuar për koordinim ndërmjet institucioneve shtetërore kompetente dhe organizatave mediatike, qëllimi kryesor i të cilit është avancimi i sigurisë së gazetarëve, parandalimi i kërcënimeve dhe sulmeve, si dhe krijimi i kushteve për ushtrimin e lirë dhe të papenguar të profesionit të gazetarisë.

Dëshirojmë që kjo çështje të trajtohet në mënyrë të vazhdueshme institucionale, me obligime të qarta dhe mekanizma konkretë për veprim. Siguria e gazetarëve nuk duhet të jetë temë vetëm kur ndodh ndonjë incident. Obligimi i institucioneve është të veprojnë me kohë, t’i identifikojnë rreziqet dhe të sigurojnë mbrojtjen e duhur.

Komiteti Nacional do të ketë për detyrë të ndjekë gjendjen me sigurinë e gazetarëve, të avancojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe komunitetit mediatik, si dhe të hartojë Planin Nacional për Veprim për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve më së voni deri më 15.12.2026, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet ndërkombëtare.

Plani do të bazohet në katër fusha thelbësore: parandalimi, mbrojtja, ndjekja efikase penale e kryerësve dhe promovimi dhe edukimi.

Në pjesën e parandalimit, theksi do të vihet te pluralizmi mediatik, mbështetja institucionale dhe dialogu me mediat. Në pjesën e mbrojtjes, parashikohet zhvillimi i mekanizmave për reagim urgjent, mbështetje policore dhe juridike, duke përfshirë edhe mbrojtjen nga kërcënimet në hapësirën digjitale. Rëndësi të veçantë do të ketë veprimi efikas në rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, përmes bashkëpunimit me organet kompetente për zhvillimin e hetimeve në kohë dhe sanksionimin përkatës, në përputhje me kompetencat ligjore. Segmenti i katërt do të përqendrohet në edukimin, trajnimet dhe aktivitetet që synojnë ngritjen e vetëdijes publike për rëndësinë e profesionit të gazetarisë.

Parashikohet që në Komitet të marrin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Transformimit Digjital, Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publikë, Radiotelevizionit maqedonas dhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

Komiteti do të mbështesë edhe zbatimin në nivel nacional të fushatës „Gazetarët janë të rëndësishëm“, e cila është fushatë e Këshillit të Evropës, duke e ndërlidhur këtë aktivitet me përpjekjet më të gjera evropiane për avancimin e lirisë së mediave, si dhe të sigurisë së punonjësve të mediave.

Të nderuar,

Ky vendim ka edhe rëndësi më të gjerë për mënyrën se si institucionet duhet ta kuptojnë raportin e tyre me mediat.

Pushteti ka të drejtë t’u përgjigjet kritikave, t’i arsyetojë politikat e veta dhe t’i kundërshtojë në mënyrë të argumentuar informacionet që i konsideron të pasakta. Por, këtë përgjegjësi duhet ta ushtrojë përmes fakteve, transparencës dhe komunikimit institucional, e jo përmes presioneve ndaj atyre që parashtrojnë pyetje.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se besimi ndërmjet institucioneve dhe mediave ndërtohet përmes qasjes në informacione, përgjigjeve ndaj pyetjeve legjitime dhe respektimit të vazhdueshëm të së drejtës së opinionit të jetë i informuar.

Si Qeveri, duam që theks i veçantë të vihet te gazetarët që çdo ditë punojnë në terren, që hulumtojnë tema me interes publik dhe që raportojnë në rrethana komplekse, sepse siguria e tyre profesionale nuk duhet të varet nga tema për të cilën raportojnë ose nga fakti nëse pyetjet dhe informacionet e publikuara prej tyre i përshtaten dikujt.

Mbrojtja institucionale duhet të jetë e barabartë për të gjithë gazetarët, pa selektivitet dhe pa asnjë dallim.

Të nderuar gazetarë,

Ju keni të drejtë të bëni pyetje, ne kemi obligim të përgjigjemi. Ju keni të drejtë ta shqyrtoni punën e institucioneve, ne kemi obligim ta elaborojmë atë. Edhe kur qëndrimet tona janë të ndryshme, kjo nuk e zvogëlon asnjëherë vlerën e dialogut profesional, por e konfirmon domosdoshmërinë e tij.

Përcaktimi ynë si Qeveri është i qartë, institucionet duhet të jenë të hapura për publikun, liria e shprehjes duhet të respektohet dhe çdo gazetar duhet të ketë mundësi ta ushtrojë profesionin e tij në mënyrë profesionale.

Ju faleminderit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo