Dimitrieska-Koçoska: Ribalanci konfirmon angazhimet tona për stabilitet ekonomik, zhvillim dhe menaxhim të përgjegjshëm të financave publike

22 korrik 2025, Shkup – Nga dita e sotme, në rendin e ditës së seancës plenare është Ribalanci i propozuar i Buxhetit për vitin 2025, me të cilin sigurohen më shumë mjete për investime në nivel qendror dhe lokal, përkrahje ndaj sektorit privat për investime të reja dhe për krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe për pagesën e sigurt dhe të rregullt të pagave, pensioneve dhe kompensimeve sociale.

Në ekspozenë e ministres së Financave Gordana Dimitrievska-Koçoska, lidhur me ribalancin e propozuar theksohet se aspekti kryesor sa i përket këyre ndryshimeve është se këto mjete sigurohen pa përpjekje dhe huamarrje shtesë, respektivisht deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar dhe vijon të jetë në nivel të njëjtë si në vlerë absolute ashtu edhe si përqindje e PBB-së.

“Sot, para Kuvendit dhe të gjithë publikut, prezantoj Ribalancin e plotësuar të Buxhetit për vitin 2025, i cili ruan politikat tona themelore për stabilitet makroekonomik, zhvillim dhe konsolidim fiskal. Dokument ky që konfirmon angazhimet tona për stabilitet ekonomik, zhvillim dhe menaxhim të përgjegjshëm të financave publike dhe paraqet vazhdimin e orientimit që tashmë po jep rezultate dhe këto janë trendet pozitive në ekonomi”, theksoi ministrja.

Sipas ministres, ribalanci i propozuar paraqet konfirmim për punën në mënyrë ekonomike të Qeverisë. “Po servisojmë detyrimet e vjetra, borxhet e vjetra jashtë vendit, sigurojmë rritjen e pagave, pensioneve, përkrahjen e ekonomisë dhe njëkohësisht kemi ulje të deficitit buxhetor krahasuar me vitin e kaluar dhe nga përkushtimi i tillë nuk heqim dorë, as unë si ministre e Financave dhe as Ministria e Financave si institucion”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.

Ajo potencoi se me këtë ribalanc sigurohen më shumë mjete financiare edhe për projektet që kanë dinamikë të përshpejtuar të cilat sjellim zhvillim dhe se po shfrytëzojmë mjetet nga vitet e kaluara që gjenden në llogari të posaçme.

Siç theksoi ministrja, me anë të këtij ribalanci, projeksioni i rritjes mbetet i pandryshuar në nivel prej 3.7% dhe ai bazohet në arritjet e deritashme, ndërsa bartësi kryesor pritet që të jenë investimet bruto.

“Politikat janë krijuar për të reaguar ndaj sfidave të ngjarjeve në suaza globale. Nuk mund ta injorojmë atë që po ndodh në botë, veçanërisht te partnerët tanë më të mëdhenj. Prandaj, po orientohemi drejt politikave që do ta ruajnë stabilitetin e ekonomisë së kompanive vendase. Përkrahja e kompanive vendore me kredi të lira, përkrahja e ekonomisë vendore përmes realizimit të projekteve komunale, përkrahja e ekonomisë vendore përmes realizimit të ciklit të investimeve dhe projekteve me partneritetin strategjik që e kemi, si në nivel bilateral ashtu edhe me institucionet financiare ndërkombëtare”, tha ministrja.

Me ribalancin e propozuar, të ardhurat e përgjithshme janë projektuar të jenë 362.4 miliardë denarë, që do të thotë rritje prej 1%, krahasuar me planin inicial. Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar të jenë në nivel prej 403.7 miliardë denarë, që do të thotë rritje prej rreth 1% më shumë, krahasuar me projektet iniciale.

Deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar, respektivisht 41.3 miliardë denarë, ose 4% e PBB-së.

Me ndryshimet e propozuara në anën e shpenzimeve është realizuar rialokimi i mjeteve ndërmjet shfrytëzuesve buxhetorë në kategoritë e domosdoshme të shpenzimeve, ku janë siguruar mjete shtesë për projekte në fushën e mjedisit jetësor, përkrahje në energjetikë, kulturë dhe arsim, në shëndetësi për furnizimin e insulinës dhe pajisjeve mjekësore përmes zgjerimit të llogarive të të ardhurave vetanake, sigurimin e mëtejshëm të 1 miliard denarëve për pagesën e pandërprerë të pagave, të destinuara kryesisht për financimin e rritjes së pagave për 10% për të punësuarit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, 2.5 miliardë denarë për FSPI-në për pagesën e rritjes së pensioneve dhe kostove të tranzicionit, si dhe 1 miliard denarë për shpenzime kapitale të projekteve me realizim të mirë në institucione, para së gjithash në Ministrinë e Mbrojtjes.

Shpenzimet kapitale janë projektuar në vlerë prej 47.4 miliardë denarësh, që paraqet 11.7% të shpenzimeve buxhetore të përgjithshme dhe 4.6% të PBB-së.

Debati mbi Ribalancin e propozuar të Buxhetit për vitin 2025 në Kuvend, sipas Rregullores zgjat deri në 5 ditë.