Trump telefonoi Netanyahun pas sulmit ndaj Kishës Katolike në Gaza

Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i telefonoi kryeministrit izraelit, Benyamin Netanyahu, për të diskutuar sulmin vdekjeprurës të forcave izraelite ndaj Kishës së vetme Katolike në Gaza.

Zyrtarët amerikanë theksuan se Trump nuk reagoi pozitivisht ndaj këtij incidenti tragjik.

Patriarkana Latine e Jerusalemit, që mbikëqyr famullinë në fjalë, bëri të ditur se në sulmin izraelit u vranë tre persona, ndërsa disa të tjerë u plagosën. Ata dënuan ashpër “këtë shënjestërim të civilëve të pafajshëm dhe të një vendi të shenjtë”, duke theksuar se në sulm humbën jetën dy gra dhe një burrë.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë deklaroi: “Nuk ishte një reagim pozitiv. Ai e telefonoi kryeministrin Netanyahu këtë mëngjes për të diskutuar sulmet ndaj asaj kishe në Gaza.”

Ajo shtoi se: “Dhe unë e kuptoj që kryeministri pranoi të nxirrte një deklaratë. Ishte një gabim nga izraelitët që goditën atë Kishë Katolike. Kjo është ajo që kryeministri ia përcolli presidentit.”

Forcat izraelite thanë se po hetojnë incidentin, ndërsa Ministria e Jashtme e Izraelit njoftoi se rezultatet e hetimit do të publikohen së shpejti. Kryeministri Netanyahu shprehu keqardhje të thellë për ngjarjen, duke thënë se Izraeli “ndjen keqardhje të thellë që një municion i humbur goditi Kishën e Familjes së Shenjtë në Gaza”.

Sipas raporteve të mjekëve dhe zyrtarëve të kishës, forcat izraelite vranë të paktën 27 persona në sulmet e së enjtes në Rripin e Gazës, duke përfshirë tre viktimat nga sulmi ndaj kishës, raporton Reuters.