Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, të shtunën ofroi mbështetje të plotë ndaj procesit të çarmatosjes së militantëve kurdë, të cilët kanë filluar t’i dorëzojnë armët nga forcat e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
Tridhjetë militantë të PKK-së dogjën armët e tyre në hyrje të një shpelle në veri të Irakut, duke shënuar një hap simbolik, por të rëndësishëm drejt përfundimit të kryengritjes disa dekadëshe kundër Turqisë.
“Që nga dje, kjo plagë e terrorizmit ka hyrë në një proces përfundimi. Sot është një ditë e re; një faqe e re në histori është hapur. Sot janë hapur gjerësisht dyert e një Turqie të madhe dhe të fuqishme,” tha Erdogan para anëtarëve të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim në Ankara.
Ai tha se hapat e fundit kanë bashkuar kombin dhe se tani parlamenti do të luajë një rol kyç në krijimin e kuadrit ligjor për përfundimin e procesit të çarmatosjes.
“Shpresoj që parlamenti ynë do ta mbështesë këtë proces me pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme”, u shpreh Erdogan.
Ankaraja ka ndërmarrë hapa drejt krijimit të një komisioni parlamentar që do të mbikëqyrë çarmatimin dhe tranzicionin e PKK-së drejt politikës demokratike.
PKK-ja, e cila është në konflikt me shtetin turk dhe është ndaluar që nga viti 1984, vendosi të shpërbëhet, të çarmatoset dhe të përfundojë luftën separatiste pas një thirrjeje publike të liderit të saj të burgosur prej kohësh, Abdullah Ocalan.
Pas disa përpjekjeve të dështuara për paqe, kjo iniciativë e re mund të hapë rrugën që Ankaraja të përfundojë një kryengritje në të cilën kanë humbur jetën mbi 40 mijë njerëz, që ka rënduar ekonominë dhe ka shkaktuar ndarje të thella shoqërore dhe politike në Turqi dhe më gjerë në rajon.