Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan sot vjen në Kosovë, pritet të takohet me Kurtin dhe liderë të partive

Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan do të vizitojë sot Kosovën.

Ai do të pritet në takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Diplomati amerikan ditë më parë ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të vizitojë Ballkanin Perëndimor, ku përveç Kosovës, ai kishte paralajmëruar vizitë në Bosnjë dhe Herecegovinë dhe Serbi.

“Po shkoj në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë pas bisedave produktive në Dejton dhe Uashington. Është një përvjetor i rëndësishëm dhe një kohë vendimtare në Ballkanin Perëndimor. Pres me padurim forcimin e lidhjeve midis SHBA-së dhe vendeve në rajon.”, ka shkruar ai në platformën X më 9 korrik.

Zyrtari i lartë amerikan gjatë qëndrimit në Kosovë pritet të takohet edhe me përfaqësues dhe liderë nga partitë parlamentare.

Gazeta Online Reporteri.net ka pyetur zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziu, nëse Kurti do të takohet sot me zyrtarin e lartë amerikan, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk është përgjigjur.

Kurse, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të enjten tha se shkak të një udhëtimi urgjent që do ta ketë ditën e dielë, nuk do të mund ta takojë zyrtarin e lartë amerikan, por se LDK-në tha se do ta përfaqësojë në takim nënkryetarja, njëherit deputetja Hykmete Bajrami.

“Kam deleguar deputeten Hykmete Bajrami për shkak të një takimi urgjent që do ta kem ditën e diel, deputetja dhe nënkryetarja e LDK-së do të jetë në atë takim, ne do të flasim për pozicionin tonë politik, për 15 pikat e qeverisë së unitetit, dhe njëra prej atyre pikave ka qenë partneriteti afatgjatë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe është një takim njoftues në këtë fazë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Takim me diplomatin amerikan ditë më parë ka pasur edhe presidentja, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA. /Reporteri.net/.