Izet Mexhiti pret Albin Kurtin në kufi: “Mirë se erdhe, mik, vëlla dhe udhëheqës i një shteti që na qëndron pranë”

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka pritur sot në kufi Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili nesër do të marrë pjesë në Takimin e lidershipit BE-Ballkani Perëndimor, kushtuar Planit të Rritjes.

Mexhiti e ka cilësuar këtë pritje si një shenjë respekti dhe vlerësimi për marrëdhëniet e afërta ndërmjet dy vendeve dhe popujve, si dhe për qasjen e përbashkët ndaj sfidave rajonale dhe aspiratave për integrim në Bashkimin Evropian.

“Sot prita në kufi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. E mirëprita si mik, si vëlla, si udhëheqës të një shteti që na qëndron pranë në çdo kohë,” ka shkruar Mexhiti.

Ai ka nënvizuar se gjatë këtij takimi të shkurtër, por miqësor, është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit, për të ardhmen evropiane dhe për sfidat e përbashkëta të rajonit.

“Biseduam shkurt, me sinqeritet dhe vullnet të përbashkët. Për mundësitë që kemi para vetes. Për bashkëpunimin. Për njerëzit tanë, për vendet tona, për rrugën tonë drejt Evropës. Dhe është mirë kur në këtë rrugë kemi pranë njëri-tjetrin,” ka përfunduar Mexhiti.