Ali Ahmeti: Fronti kombëtar ka vend për të gjithë përveç atyre që kanë bërë gjynahe dhe nuk e kalojnë Urën e Siratit (VIDEO)
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përcjellë një mesazh të fortë sonte në Tetovë në Kuvendin e IV-të Zgjedhor i Forumit Rinor – Dega Tetovë. Ai theksoi se “Fronti Kombëtar” është i hapur për të gjithë ata që kanë vullnet dhe integritet për të punuar për interesin kombëtar, por jo për ata që kanë “bërë gjynahe”, shkruan TS.
“Fronti Kombëtar ka vend për të gjithë, përveç atyre që kanë bërë gjynahe dhe nuk e kalojnë urën e Siratit,” deklaroi Ahmeti, duke përdorur një simbolikë të fuqishme morale dhe fetare.
Me këtë deklaratë, lideri i BDI-së duket se ka vendosur një kufi të qartë mes bashkëpunëtorëve të mundshëm dhe atyre që i konsideron të papranueshëm për shkak të së kaluarës së tyre politike apo morale.
Ky mesazh vjen në një moment kur skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut po përjeton riformatime të rëndësishme dhe përpjekje për unifikim rreth një platforme të përbashkët kombëtare. Ahmeti synon që përmes këtij “Fronti”, të bashkojë forcat shqiptare në vend në një projekt të ri që do të ketë, sipas tij, edhe përkrahje ndërkombëtare./TS