Prej muajsh të tërë, banorët e Zhelinës jetojnë mes pluhurit, gropave dhe terr-it. Me dritare të mbyllura edhe në këto ditë të nxehta vere, ata po vuajnë jo nga vapa, por nga pasojat e një projekti të nisur nga Blerim Sejdiu. Pothuajse pesë muaj kanë kaluar që kur nisi punimi i bulevardit kryesor të komunës, i cili ende nuk po merr fund. Nisi si një projekt gjigant, por tani duket më shumë si një gropë pa fund.
Në adresë të portalit TS, banorët kanë dërguar një fotografi ku shihet një veturë e fundosur në një nga gropat e mëdha në bulevard. “Kjo është veç më e vogla nga ato që përjetojmë. Nga pluhuri nuk e dimë sa herë do sëmuremi. Shihe veturën e fundosur, shihe baltën e pluhurin në çdo cep. Jetojmë çdo ditë mes ankthit dhe dëmeve të përditshme. Gropat na kanë shkatërruar veturat. Nuk e di pse po zgjat kaq shumë apo ndoshta s’u del matematika për vjedhje,” thotë një banor i cili ka dërguar fotografinë.
Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, komuna e Zhelinës ka borxhe që tejkalojnë 6 milionë euro një shifër që e çon drejt kolapsit të plotë.