Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës (KE), Alain Berset, kanë nënshkruar të mërkurën në Strasburg një marrëveshje për krijimin e një Tribunali Special për Krimin e Agresionit kundër Ukrainës.
Tribunali synon të vërë në shënjestër udhëheqësit e lartë rusë për “krimet e panumërta të luftës” që, sipas Ukrainës, janë kryer nga forcat ruse që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Kremlinit në shkurt të vitit 2022.
Gjykatat ekzistuese ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, nuk kanë juridiksion për të ndjekur penalisht shtetasit rusë për këtë vepër penale specifike.
“Drejtësia për Ukrainën nuk do të presë,” deklaroi Berset para ceremonisë së nënshkrimit me Zelensky-n. “Për herë të parë, po krijohet një gjykatë ndërkombëtare e dedikuar për të adresuar krimin e agresionit. E themeluar brenda kornizës së Këshillit të Evropës, kjo gjykatë do t’i mbajë përgjegjës ata që kanë përdorur forcë në shkelje të Kartës së OKB-së,” shtoi ai.
Në një fjalim para Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Zelensky iu referua gjykimeve të pas Luftës së Dytë Botërore dhe atyre për luftërat në ish-Jugosllavi, duke theksuar se këto duhet të shërbejnë si model për mbajtjen përgjegjëse të zyrtarëve rusë.
“Të gjithë e kujtojmë gjykatën që solli drejtësi pas tmerreve të nazizmit. Dhe bota nuk do ta harrojë kurrë Nurembergun. Vite më vonë, kur urrejtja dhe lufta u rikthyen në pjesë të Evropës, një gjykatë tjetër ishte e nevojshme, këtë herë për krimet në ish-Jugosllavi,” tha Zelensky.
“Tani na duhet e njëjta gjë për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Ky krim duhet të gjykohet qartë dhe plotësisht. Bota ka nevojë për një vendim të ndershëm dhe historik, në mënyrë që të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë luftë të mbahen përgjegjës,” shtoi ai.
Presidenti ukrainas u shpreh optimist se krijimi i këtij tribunali përbën një “shans të vërtetë” për të rivendosur drejtësinë për popullin e Ukrainës, i cili ka vuajtur nga “krime të patregueshme” në duart e forcave ruse. Ai gjithashtu bëri thirrje për gjykimin e Presidentit rus Vladimir Putin, të cilin e cilësoi si “kriminel lufte”.
“Institucione të tjera, madje edhe ato ndërkombëtare, nuk kanë mjetet për ta bërë këtë. Dhe ne duhet të tregojmë qartë se agresioni çon në ndëshkim,” theksoi ai.
Ende mbeten për t’u zgjidhur disa çështje logjistike, përfshirë vendndodhjen e gjykatës. Haga është përmendur si opsion për shkak të infrastrukturës ekzistuese ligjore, të cilën Zelensky e quajti “vendndodhje perfekte”, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Tribunali do të financohet nga vendet që përbëjnë të ashtuquajturin “Grupi Bazë”, i përbërë nga 40 shtete. Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur projektin gjatë administratës së ish-Presidentit Joe Biden, ndërkohë që administrata e presidentit Donald Trump nuk e mbështeti këtë iniciativë.