Ligji që përjashton shqiptarët – ASH: 5 arsye përse duhet të refuzohet

Në ditën që pritet që qeveria ta kalon në seancë qeveritare, Aleanca për Shqiptarët shpreh kundërshtime ndaj Propozim-Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të hartuar nga Tanja Karakamisheva-Jovanovska, i cili në formën aktuale përbën një regres të rrezikshëm në drejtim të përfaqësimit real të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Ky propozim-ligj është tërësisht i papranueshëm, për arsye të qarta dhe themelore:

1. Mungesë e garancisë për përkatësinë etnike
Neni 6, paragrafi 2, e trajton përkatësinë etnike si një e drejtë “vullnetare”, gjë që përjashton çdo mekanizëm të detyrueshëm për përfaqësim proporcional sipas përkatësisë etnike. Në rrethana të diskriminimit të heshtur institucional, kjo e drejtë e supozuar mund të shndërrohet lehtësisht në mekanizëm për përjashtim.

2. Mungesë e mekanizmave detyrues për përfaqësim të barabartë
Në vend të një qasjeje të bazuar në të dhëna konkrete si rezultatet e regjistrimit të popullsisë, ligji propozon standarde të përgjithshme si “merita” dhe “kompetenca”. Këto parime, megjithëse në parim të vlefshme, në praktikë, në kontekstin e institucioneve të politizuara, kanë shërbyer si mjete për përjashtim.

3. Mungesë e sanksioneve për mosrespektim të ligjit
Në draftin aktual mungojnë tërësisht dispozitat ndëshkuese për institucionet që dështojnë në zbatimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Kjo mungesë e mekanizmave mbikëqyrës dhe ndëshkues e bën të pamundur zbatimin real të ligjit në praktikë.

4. “Trupi Koordinues” – një organ formal, pa fuqi reale
Trupi i paraparë me këtë ligj për të monitoruar përfaqësimin rrezikon të jetë një strukturë formale, pa kompetenca ekzekutive apo sanksionuese. Në vend të forcimit të mekanizmave, kemi një zëvendësim të balancuesit me një organ simbolik, pa ndikim konkret në përmirësimin e përfaqësimit.

5. Asnjë zgjidhje për zëvendësimin e sistemit ekzistues të balancuesit
Heqja e balancuesit nuk shoqërohet me asnjë alternativë funksionale. Ky është një hap prapa në raport me përpjekjet e mëparshme për të ndërtuar një sistem përfaqësimi të drejtë dhe të monitorueshëm.

Aleanca për Shqiptarët rithekson se mungesa e mjeteve për të matur përfaqësimin, mungesa e sanksioneve dhe zëvendësimi i detyrimeve me “rekomandime” e bëjnë këtë ligj të papranueshëm dhe rrezikshëm.

Për më tepër, konsiderojmë se znj. Tanja Karakamisheva-Jovanovska, për shkak të qëndrimeve të saj të njohura publike dhe angazhimeve politike, nuk mund të konsiderohet si eksperte e pavarur në një proces kaq të ndjeshëm dhe të rëndësishëm.

Aleanca për Shqiptarët kërkon tërheqjen e menjëhershme të këtij propozimi dhe nisjen e një procesi të ri, gjithëpërfshirës dhe transparent, në të cilin përfaqësuesit shqiptarë do të kenë rol thelbësor në hartimin e një ligji të drejtë, të zbatueshëm dhe me mekanizma të qartë detyrues për zbatim.

Aleanca për Shqiptarët