BDI: Po përballemi me një tentativë të hapur për revizionizëm politik dhe asimilim politik të shqiptarëve
Një vit më parë, ishim me Kryeministër shqiptar, me Ministër të Jashtëm, Financash , Drejtësie dhe shumë ministra tjerë shqiptarë. Kishim përfaqësim të barabartë dhe dinjitoz në çdo institucion, thjeshtë në çdo institucion.
U bëmë anëtarë të NATO-s, me negociata të hapura për Bashkimin Evropian dhe me projekte historike zhvillimi, si Koridori 8 dhe 10. Kjo ishte realiteti dhe krenaria jonë.
Por sot, pas vetëm një viti, po përballemi me një tentativë të hapur për revizionizëm politik dhe asimilim politik të shqiptarëve. Ende pa u mbyllur kutitë e votimit, Mickoski dhe VMRO-DPMNE vendosën se kush do të përfaqësojë shqiptarët. Jo vota e shqiptarëve, por vullneti i tij. Ata premtojnë ta “kthejnë shtetin e marrë nga shqiptarët” dhe po e bëjnë me përpikëri dhe me shumë sukses duke hasur në një përkrahje të heshtur nga VLENI pa legjitimitet.
Diaspora shqiptare është përjashtuar nga jeta politike dhe vendimmarrja, zëri i saj është heshtur me qëllim. Gjuha shqipe po degradohet brutalisht – ligjet dërgohen vetëm në maqedonisht, tabelat rrugore ndrohen pa shqipen në to, dhe mbi 78 institucione refuzojnë të zbatojnë ligjin për përdorimin e shqipes.
Po tentojnë të shfuqizojnë edhe statusin e Inspektoratit të Gjuhës, ku punonjësit janë prej muajsh pa paga. Qëllimi është i qartë – të na detyrojnë të heshtim. Nga VMRO janë inicuar 18 nisma për të shfuqizuar çdo ligj që mbron barazinë tonë.
Balancuesi u hoq, punësimet favorizojnë etninë maqedonase, duke u justifikuar me një “meritokraci” false që nënvlerëson shqiptarët. Avancimet jepen vetëm për militantët e VMRO-së dhe aleatët e tyre maqedonas. Ligji për përfaqësimin e drejtë është i bllokuar – ose më saktë, përmes një procesi 10-mujor të mbuluar me fshehtësi të lartë, nesër pritet të miratohet një propozim-ligj që nuk është ligj për përfaqësim, por ligj për poshtërimin dhe degradon totalisht shtyllën kryesore të Marrëveshjes së Ohrit – përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve.
Në vendimmarrje, shqiptarët injorohen totalisht. Nuk ftohen në vizitat shtetërore dhe në takime ndërqeveritare zëvendësohen nga maqedonas. Për vendimet më të rëndësishme, shqiptarët mësojnë vetëm nga mediat. Ky është “partneriteti” i VLEN-it në këtë qeveri.
Një nga “sukseset” e para të kësaj qeverie ishte shfuqizimi i pozicioneve të Drejtorëve Ekonomik në Klinikat Universitare – jo për shkak të nevojës, por vetëm sepse ishin shqiptarë.
Diaspora jonë po fshihet nga jeta politike, pasi shteti ka vendosur të llogarisë vetëm popullsinë rezidente, duke anashkaluar me qëllim dhjetëra mijëra shqiptarë. Kjo është një shkelje flagrante e ligjit dhe një padrejtësi e re, që është e papranueshme.
Kjo nuk është një bashkëjetesë. Ky është projekt për t’i bërë shqiptarët të padukshëm, për t’i detyruar të pranojnë nënshtrimin. Por historia na mësoi një të vërtetë të madhe:
Ne nuk dorëzohemi!
Ne nuk heshtim!
Ne nuk pranojmë kurrë të jemi qytetarë të dorës së dytë!
Prandaj, sot bëjmë thirrje të fuqishme: Kjo qeveri duhet të mbajë përgjegjësi për përpjekjet e saj të papranueshme për të fshirë shqiptarët nga vendimmarrja! E drejta dhe barazia nuk janë opsione – ato janë të paprekshme! Shqiptarët do të vazhdojnë të kërkojnë zë, respekt dhe përfaqësim të plotë në këtë shtet!