Trump flet për ndryshimin e regjimit në Iran, pas bombardimeve amerikane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka lënë të kuptohet të hënën se mund ta mirëpresë rrëzimin e Qeverisë në Teheran, vetëm pak orë pasi anëtarë të administratës së tij ngulën këmbë se sulmet e fundit ndaj Iranit nuk kishin për qëllim të sillnin “ndryshim regjimi”.

“Politikisht nuk është e pranueshme të përdoret termi ‘Ndryshim Regjimi’, por nëse regjimi i tanishëm iranian nuk është në gjendje ta BËJË IRANIN SËRISH MADHËSHTOR, pse të mos ketë një ndryshim regjimi??? MIGA!!!” shkroi Trump në platformën e tij, Truth Social.

Trump i tha këto fjalë vetëm disa orë pasi figura kyçe të administratës së tij, si – nënpresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth – theksuan se qëllimi i sulmeve ajrore të SHBA-së më 21 qershor ndaj objekteve bërthamore të Iranit ishte një zgjidhje e negociuar, dhe jo rrëzimi i Qeverisë islamike teokratike.

Në një konferencë për shtyp, Hegseth i përshkroi bombardimet si “operacion i saktë”, që synonin vetëm programin bërthamor të Iranit, dhe jo ushtarët apo popullin iranian.

“Kjo mision nuk kishte, dhe nuk ka të bëjë me ndryshimin e regjimit”, tha ai.

Trump “kërkon paqe, dhe Irani duhet ta ndjekë këtë rrugë”, shtoi Hegseth, duke theksuar më tej: “Këtu duhet të arrihet një marrëveshje e negociuar”.

“Regjimi iranian duhet të zgjohet dhe të thotë: ‘OK, nëse me të vërtetë duam energji bërthamore në vendin tonë, ka mënyrë për ta bërë këtë’. Kjo ofertë është ende në fuqi. Jemi të gatshëm të flasim me ta nesër dhe të fillojmë punën për këtë”, tha Rubio për rrjetin amerikan CBS.

Megjithatë, disa anëtarë të Partisë Republikane të Trumpit kanë bërë thirrje në të kaluarën për rrëzimin e Qeverisë iraniane, përfshirë senatorin me ndikim nga Teksasi, Ted Cruz.

“Po avokoj që të përdorim trysni maksimale dhe sanksione ekonomike për të ushtruar trysni mbi regjimin në një mënyrë që mund ta nxisë rrëzimin e tij”, kishte thënë ai para sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore në Iran.