Valë sulmesh në Kolumbi, bomba dhe të shtëna me armë! Shtatë të vdekur, mbi 50 të plagosur

Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në një seri sulmesh të koordinuara në jugperëndim të Kolumbisë, raportojnë mediat lokale.

Sulmet, që përfshinë makina-bomba, motoçikleta të pajisura me eksplozivë, të shtëna me armë zjarri dhe përdorimin e një droni të dyshuar, kanë goditur qytetin Cali – qyteti i tretë më i madh në vend – si dhe disa qytete përreth në rajonet Cauca dhe Valle del Cauca.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kolumbisë, janë regjistruar gjithsej 19 sulme: 12 në rajonin Cauca dhe shtatë në Valle del Cauca. Dy oficerë policie janë midis viktimave, ndërkohë që numri i të plagosurve varion nga 28 në mbi 50 persona, sipas burimeve nga Reuters dhe AFP.

ads.tetovasot.com

ads.tetovasot.com

ads.tetovasot.com

Disa media lokale raportojnë se sulmet mund të jenë kryer nga një fraksion i Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), megjithatë kjo lidhje nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, Ministria e Mbrojtjes përshkroi dhunën si “një reagim të dëshpëruar nga grupet e armatosura ilegale ndaj operacioneve të gjera ushtarake dhe policore që kanë goditur strukturat dhe ekonomitë e tyre të paligjshme”.

Kryebashkiaku i Calit tha se situata e sigurisë në qytet i kujton vitet e errëta të 1989-ës, kur qyteti ishte i zhytur në dhunë për shkak të karteleve të drogës.