Danimarka po përgatitet të rrisë gradualisht moshën e daljes në pension në 70 vjeç deri në vitin 2040, transmeton Anadolu.
Sipas gazetës “The Local”, një ligj që synon të rrisë gradualisht moshën e daljes në pension në Danimarkë u miratua nga parlamenti me 81 pro dhe 21 kundër.
Mosha e daljes në pension, aktualisht 67 vjeç në vend, do të rritet gradualisht sipas ligjit të ri, në 68 vjeç në vitin 2030, 69 vjeç në vitin 2035 dhe 70 vjeç në vitin 2040.
E drejta për të dalë në pension në moshën 70 vjeç do të zbatohet për qytetarët e lindur pas 31 dhjetorit 1970.
Danimarka do të bëhet vendi me moshën më të lartë të daljes në pension në Evropë duke e rritur moshën e daljes në pension në 70 vjeç.
Sipas të dhënave të “Indeksit të Jetës më të Mirë” të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), jetëgjatësia në Danimarkë është 82 vjeç.
Raportohet se qytetarët që kundërshtojnë rritjen e moshës së daljes në pension mbajtën protesta, të mbështetura nga sindikatat në kryeqytetin Kopenhagë.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen në deklaratën mbi këtë çështje në vitin 2024 tha se ky sistem i rritjes graduale të moshës së daljes në pension do të rinegociohet dhe se nga perspektiva e partisë së saj “është e papranueshme t’u thuash vazhdimisht njerëzve se duhet të punojnë edhe për një vit”.