Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Albert Sylajt, i dyshuar për vrasjen e rëndë të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Në dokumentin e gjykatës, të cilin e ka siguruar gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, ku arsyetohet kërkesa për paraburgim, janë paraqitur edhe detaje të rënda për atë që dyshohet se ndodhi në momentet e fundit të jetës së Arlindës.
Sipas dokumentit, Arlinda ishte kthyer në shtëpi pasi kishte raportuar dhunën nga bashkëshorti i saj në stacionin policor në Pejë, ku ishte pajisur edhe me urdhërmbrojtje.
Në arsyetimin e Prokurorisë thuhet se, në momentin kur Arlinda hyri në dhomën e saj, i dyshuari mori sëpatën dhe hyri pas saj në dhomë.
Sipas dokumentit, Arlinda tentoi të fshihej pas derës, por i dyshuari dyshohet se qëlloi disa herë në pjesë të ndryshme të trupit të saj, kryesisht në kokë. Si pasojë e plagëve, ajo vdiq në vendin e ngjarjes.
Këto detaje janë pjesë e arsyetimit të Prokurorisë në kërkesën për paraburgim. Hetimet për rastin janë në vazhdim.
Për rastin e rëndë të vrasjes së Arlinda Zekajt, që tronditi opinionin publik, gazetarja e Klan Kosovës, Blerta Ahmeti, ka zbuluar detaje ekskluzive përmes emisionit hulumtues “MAT”.
Në kuadër të këtij hulumtimi, “MAT” publikoi ekskluzivisht videon që ish-bashkëshorti i Arlindës, Jeton Sylaj, dyshohet se ia kishte dërguar asaj.
Po ashtu, emisioni solli detaje mbi rrethanat në të cilat Arlinda u vra, në praninë e djalit të saj.