Kompanitë dhe qytetarët në Maqedoninë e Veriut, gjatë muajit prill, u kanë borxh bankave gjithsej 8,268 miliardë euro, sipas të dhënave të publikuara nga Banka Popullore. Pothuajse gjysma e kësaj shume i përket qytetarëve, të cilët kanë një borxh total prej 4,168 miliardë euro, që do të thotë se mesatarisht çdo qytetar ka një borxh prej rreth 2.300 euro në bankë.
Ndërkohë, kompanitë i detyrohen bankave gjithsej 4,056 miliardë euro.
Nga ana tjetër, depozitat e përgjithshme në banka në muajin prill kanë arritur në 9,771 miliardë euro, prej të cilave 6,644 miliardë euro janë depozita të qytetarëve.
Gjatë këtij muaji, qytetarët janë huazuar më së shumti për kredi konsumatore dhe për banesa, të cilat kanë shënuar një rritje mujore prej 0,9% dhe 1,1%, si dhe një rritje vjetore prej 9,1% dhe 14% respektivisht.
Kreditë për blerje të automjeteve kanë pasur rritje mujore dhe vjetore prej 0,4% dhe 2,3%, ndërsa kreditë e aprovuara përmes kartelave kreditore janë rritur me 0,3% në bazë mujore, por kanë rënë me 7,9% në bazë vjetore.
Ndërkohë, bilancet negative në llogaritë rrjedhëse janë zvogëluar me 9,3% në prill, megjithatë kanë shënuar një rritje të vogël prej 0,1% në krahasim me vitin e kaluar.
Kreditë e miratuara për baza të tjera kanë shënuar rënie si në nivel mujor (-2,3%), ashtu edhe në atë vjetor (-9,0%).