Trump i kërcënohet Kinës me tarifa deri në 245 përqind, Kina: Lojë e pakuptimtë me shifra, do ta çojmë deri në fund
Kina ka hedhur poshtë njoftimet më të fundit për rritjen e tarifave nga SHBA, duke i quajtur kërcënimet e administratës së Donald Trump si një “lojë të pakuptimtë me shifra”. Presidenti Trump vendosi tarifa të reja për mallrat nga një numër i madh shtetesh dhe rajonesh javën e kaluar. Ai pretendoi se tarifat janë të domosdoshme për të kthyer vendet e punës në SHBA dhe për të ndalur “tatimin e padrejtë” ndaj produkteve amerikane.
Megjithëse administrata më pas i tërhoqi shumicën e tarifave, duke shpallur një pauzë 90-ditore, tarifat e shtuara për mallrat kineze mbetën kryesisht të paprekura, duke e përshkallëzuar edhe më tej luftën tregtare që Trump e kishte nisur kundër ekonomisë së dytë më të madhe në botë gjatë mandatit të tij të parë.
Shtëpia e Bardhë më pas sqaroi se produktet kritike elektronike të prodhuara në Kinë do të tatohen me një tarifë prej 20%. Të martën, Shtëpia e Bardhë publikoi një dokument informues ku sugjerohej se tarifat për disa produkte kineze mund të rriten deri në 245%, “si përgjigje ndaj kundërmasave të Kinës”. Në të njëjtën deklaratë u njoftua edhe një hetim për sigurinë kombëtare lidhur me varësinë e SHBA-së nga burimet e huaja të mineraleve kyçe, ku Kina është prodhuesi kryesor i metaleve të rralla dhe lëndëve të tjera të para të rëndësishme për zinxhirët amerikanë të furnizimit.
Një ditë më vonë, zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë hodhi poshtë rritjen e paralajmëruar të tarifave, duke u thënë gazetarëve se ky veprim “e tregon qartë se sa irracionale janë bërë SHBA-të në përdorimin e tarifave si instrument”.
“Kina ka shprehur vazhdimisht qëndrimin e saj kundër tarifave të njëanshme amerikane dhe ne do ta injorojmë tërësisht lojën e pakuptimtë me shifra të Amerikës”, tha zyrtari kinez. Ai shtoi se Kina do të ndërmarrë “kundërpërgjigje” dhe “do ta përballojë luftën tregtare deri në fund” nëse Uashingtoni vazhdon të “shkelë të drejtat dhe interesat e Kinës”.