Shkëputen kabllot e teleferikut në Itali, humbin jetën tre persona

Një aksident i rëndë ka ndodhur në teleferikun e Monte Faitos në Itali, ku tre persona kanë humbur jetën, një është plagosur rëndë dhe shoferi i kabinës është ende i zhdukur. Aksidenti ka ndodhur pas shkëputjes së kabllove që mbanin teleferikun, dhe ndodhi në orët e pasdites të së enjtes, kur një nga kabinat e sipërme ra në tokë, pak para mbërritjes në stacionin përfundimtar.

Teleferiku lidh qytetin Castellammare di Stabia me malin Faito, një zonë turistike e njohur. Në kabinën tjetër, ndodheshin 16 pasagjerë, shumica turistë të huaj. Fatmirësisht, kjo kabinë mbeti pezull pranë stacionit të nisjes dhe të gjithë pasagjerët u shpëtuan në mënyrë të sigurt nga ekipet e shpëtimit.

Sipas të dhënave paraprake, kablloja tërheqëse e teleferikut u këput dhe ra mbi linjën hekurudhore Circumvesuviana që kalon më poshtë, duke shkaktuar ndërprerjen e trafikut hekurudhor.
Një kabinë tjetër është ende e bllokuar, dhe në të mendohet se ndodhen katër pasagjerë dhe një operator. Mjegulla e dendur ka penguar shikimin e kabinës dhe nuk ka pasur komunikim radio me të. Ekipet e shpëtimit, përfshirë zjarrfikësit, policinë dhe shërbimet e emergjencës, janë angazhuar për të ndihmuar dhe për të siguruar vendin e ngjarjes.

Teleferiku Monte Faito kishte rifilluar aktivitetin më 10 prill pas një periudhe mbylljeje sezonale dhe është i njohur për pamjet spektakolare që ofron mbi det dhe male. Vetëm këtë vit, ishte përdorur nga mbi 113 mijë persona.